Ndeshja mes Valencias dhe Atalantës, në program për t’u luajtur më 10 mars në kuadër të Champions League, mund të mos luhet për shkak të situatës së Coronavirusit të krijuar në Itali.
Në një kohë që Seria A në Itali përgatitet për t’u përballur me emergjencën e Coronavirusit, duke u luajtur pa tifozë, nga Spanja vjen një deklaratë që përhap alarmin dhe në Champions League.
Zëvendës drejtoresha e Epidemologjisë në Valencia, deklaroi se nuk dihej ende nëse futbollistët e Atalantës do të mund të shkonin në Valencia. Ajo shtoi se deri në 10 mars ka akoma ditë, por si pasojë e situatës së krijuar në Itali për shkak të Coronavirusit, asgjë nuk është vendosur.
Në pritje për të kuptuar se si do të jetë situata në Itali, duket se Coronavirusi jep pasojat dhe në Champions. Atalanta rrezikon të mos luajë ndeshjen e kthimit kundër Valencias. Një garë kjo që pritej me entuziazëm nga ekipi i Gasperinit, pas fitores me rezultatin 4-1 në ndeshjen e parë. /abcnews.al