Cordeiro sulm direkt ndaj trajnerit Daja, Tirana bën merkato në Dibër e Laç

schedule08:35 - 21 Prill, 2021

schedule 08:35 - 21 Prill, 2021

Superliga Europiane ka marrë skenën kryesore, por ka zhvillime edhe në futbollin tonë, ku flitet shumë për Tiranën dhe Partizanin, dy nga skuadrat historike në vendin tonë.

Rikthehen polemikat te të kuqte për marrëdhënien e vështirë Daja-Cordeiro. Trajneri muaj më parë e kritikoi publikisht brazilianin, duke u shprehur se emri i krijuar nga ai nuk e vendos direkt në formacion.

Pas kësaj Cordeiro ishte pranë largimit, por vazhdoi te të kuqtë. Gjithsesi, kjo nuk bën që marrëdhëniet me trajnerin të jenë rregulluar. Panorama Sport zbulon sot zhvillimet e fundit.

 

“Trajneri nuk më pëlqen mua si lojtar, kështu që unë nuk do të punoj më me të”, mësohet të jetë shprehur anësori brazilian, duke krijuar sërish polemika me trajnerin Daja, që duket se ka vazhduar të tregohet i ashpër me të.

Nga ana tjetër Tirana e ka nisur që tani merkaton. I njëjti burim bën me dije se bardheblutë synojnë dy nga emrat më të spikatur në futbollin tonë. Xhuliano Skuka është piketuar për sulmin.

 

22-vjeçari aktivizohet me Korabin në Kategorinë e Parë dhe ka shënuar 8 gola në 8 ndeshje në kampionat dhe 2 rrjeta në 3 beteja në Kupë, njëri prej tyre eliminoi Tiranën para kohe nga kompeticioni.

Shënjestra tjetër është një nga shtyllat e Laçit, Aleksandar Ignjatovic. Serbi është nja nga pikat e forta të Laçit, por prej kohësh është përfolur për largim. Tirana është gati të përfitojë dhe të përmirësojë një nga pikat e dobëta të skuadrës, qendrën e mbrojtjes. /abcnews.al