Coppa Italia/ Fiton Cesena e Shpendit, Udinese kalon lehtësisht skuadrën e Salernitana

schedule21:16 - 25 Shtator, 2024

schedule 21:16 - 25 Shtator, 2024

Pas tre ndeshjeve të para të fazës së 1/16-ve të Coppa Italia të zhvilluara të martën që sapo lamë pas, pasditen e kësaj të mërkure ka vijuar programi i këtij kompeticioni, ku janë zhvilluar edhe dy përballje të tjera.

Më konkretisht Cesena dhe Udinese kanë arritur të sigurojnë fitoret e radhës, duke siguruar në këtë mënyrë kalimin në raundin e 1/8-ve.

Kështu, në “Stadio Romeo Anconetani”, Cesena e Kristjan Shpendit ka arritur një fitore të madhe duke mundur minimalisht, 1-0, vendasit e Pisa me golin e vetëm të sfidës që erdhi në minutën e 54’-të, nga Celia, ndërsa për “bomberin” shqiptar pati vetëm rreth 20 minuta në pjesën e dytë, teksa e nisi sfidën nga stoli.

Në krahun tjetër, në “Stadio Friuli”, vendasit e Udinese kanë fituar me rezultatin e thellë, 3-1 përballë skuadrës së Salernitana me treshen Bijol, Lucca e Ekkelenkamp që shënuan nga një gol në minutat 20’, 44’ e 47’, për të nxjerrë “të pavlefshëm” golin e Simy.

Ndërkaq, në fazën e 1/8-ve, Cesena do të ndeshet me “Zikaltërit” e Atalanta, ndërsa Udinese me ata të Inter. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!