Bologna është kundërshtari i radhës i Interit. Transfertë e komplikuar për ekipin zikaltër dhe Antonio Conte e di mirë diçka të tillë. Trajneri analizon sfidën dhe komenton teknologjinë VAR. Trajneri zikaltër ka një mesazh për arbitrat, teksa e mbyll prononcimin e tij me një mesazh për djemtë e tij.
BOLOGNA – “Luajmë kundër një skuadre intensive që bën shumë presing. Nuk ia dolën përballë Cagliarit, por i konsideroj një kundërshtar në formë. Do e përgatisim mirë këtë ndeshje dhe duhet të japim të gjithë maksimumin. Le të vazhdojmë procesin e rritjes dhe të dalim nga fusha me bluzën e djersitur”.
VAR – “Teknologjia nuk përdoret njësoj për të gjithë, por është e rëndësishme për rastet e rënda. Sezonin e kaluar kisha më shumë besim te VAR-i, por sot nuk po arrijmë ta kuptojmë metrin matës. Arbitrat duhet të jenë më të qetë, mund ta marrin një vendim, por mund të shohin pamjet për siguri më pas”.
SKUADRA – “Pas Brescias e lashë skuadrën një ditë pushim, por nuk është hera e parë që ndodh. Është e nevojshme pasi harxhohen shumë energji. Në Angli e kisha vënë kusht: fitorja sillte një ditë pushim. Kur fitonim tre ndeshje rresht, ekipi merrte tre ditë pushime (qesh)”. /abcnews.al