Antonio Conte, trajneri i Interit, në prag të ndeshjes me Udinesen ka dalë në konferencë për mediat dhe ka folur në lidhje me duelin e radhës, ndikimin që ka pasur triumfi kundër Juventusit, si dhe për zvogëlimin e diferencës së zikaltërve me kampionët në fuqi të Italisë.
UDINESE – “Ju kurrë nuk duhet të përballeni me ndonjë ekip si superior në Serie A, veçanërisht me Udinesen. Bëhet fjalë për një ekip fizik, me identitet dhe të strukturuar qartë. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë, por ta përgatitim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. E pamë kundër Atalantës, Udinese i hap telashe çdo ekipi”.
TRIUMFI NË DERBIN E ITALISË – “Kundër Juventusit bëmë një ndeshje të mrekullueshme, por bëmë disa gabime. I shfrytëzuam dobësitë e kundërshtarit. E meritonim të fitonim. Juve ka luajtur mirë herë të tjera, pavarësisht gabimeve, dhe ne na duhej një ndeshje e madhe për të triumfuar.
Fitorja na dha tre pikë dhe na bëri të kuptojmë se jemi në rrugën e duhur. Gjithsesi jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë më shumë. Këto lloj ndeshjesh na japin entuziazmin që na nevojitet dhe na ndihmon të punojmë edhe më shumë”.
DIFERENCA ME JUVENTUSIN – “Janë shtatë ekipe që mund të luftojnë për titullin kampion dhe një vend në Champions League. Për momentin prioritet për ne ka Udinese dhe duhet të tregojmë vendosmërinë e duhur. Një vit e gjysmë më parë nisëm një udhëtim të ri dhe jemi përmirësuar në çdo aspekt. Kemi qëndrimin e duhur gjatë ndeshjeve.
Djemtë kanë bërë disa hapa, dikush më shpejt, dikush më ngadalë. Gjithçka varet nga zhvillimi i tyre. Herë pas herë pengesat na shërbejnë të kuptojmë nëse duam të arrijmë diçka të rëndësishme. Nuk duhet të jemi të kënaqur me suksesin e përditshëm, që është i përkohshëm. Duhet të mendojmë për suksesin e qëndrueshëm, që të çon te diçka e rëndësishme në fund të sezonit”. /abcnews.al