Një gol i Romelu Lukakut në minutën e fundit, evitoi humbjen e dytë radhazi të Interit. Zikaltrit e nisën sezonin e ri në Champions League me një barazim 2-2 në “San Siro” kundër M’Gladbach, takim që trajneri Antonio Conte e analizon për mikrofonat e Sky Sport.
“Sinqerisht, nuk mund t’i fajësoj djemtë për asgjë, e dominuam ne ndeshjen, nuk më kujtohet ndonjë pritje e Handanovic. Ky takim nuk krahasohet me atë të vitit të kaluar kundër Slavia Prague. M’Gladbach ka lojtarë të shpejtë dhe teknikë.
Duhet të luajmë më të përqendruar, kemi mundësi të përmirësohemi dhe u kam thënë djemve se duhet të ecim përpara me kokën lart. Eriksen? Mendoj se zhvilloi një takim të mirë. I kërkuam të ishte më vendimtar në qarkullimin e topit dhe bëri mirë.
Nuk ishte e thjeshtë për ne kur morëm vesh që Hakimi ishte me koronavirus. Kishim probleme edhe në stol, pasi Bastoni sapo është rikthyer, ndërsa Brozovic dhe Sensi kanë pasur probleme muskulore“, deklaron trajneri i Interit. /abcnews.al