Moment fantastik tek Interi. Zikaltrit fituan 3-1 ndaj Lazios së Inzaghit, rezultat që i ka ngjitur në krye të Serie A. Një objektiv që djemtë e Antonio Contes e ndiqnin prej kohësh, teksa java e ardhshme sjell një tjetër “finale” titulli, derbin ndaj Milanit.
Trajneri i Interit nuk e fshehu lumturinë e tij në prononcimin e dhënë pas triumfit ndaj bardhekaltërve, teksa nuk i kursen elozhet për lojtarët e tij, përfshirë edhe danezin Christian Eriksen.
“Vendi i parë në kampionat ishte një objektiv që e ndiqnim prej kohësh. Ia dolëm sot përballë një skuadre të madhe dhe plot cilësi. Dua t’i bëj komplimente Lazios dhe Simone Inzaghit. Jam shumë i kënaqur për djemtë e mi.
Arritja e vendit të parë duhet të jetë një pikë nisje për ne. Ndeshja e radhës është derbi ndaj Milanit. Sigurisht që është më bukur të shkojmë në atë takim sipër kundërshtarëve tanë. Do shijojmë një ndeshje të bukur mes dy ekipeve ambicioze.
Sulmi? Lukaku dha një përgjigje madhështore, shumë mirë u paraqit edhe Lautaro. Është e vështirë të mos flasësh mirë për lojtarët në këto momente. Kemi nevojë për këtë Lukak dhe është e nevojshme që skuadra të luajë me këtë lloj cinizmi.
Eriksen po e kupton se çfarë duam dhe çfarë presim prej tij. Tani po luan me një intensitet më të lartë se më parë. Ne jemi përpjekur në çdo mënyrë ta fusim dhe ta përfshijmë në lojën tonë. Ai ka bërë një hap përpara drejt nesh dhe unë i besoj më shumë. Një armë plus për ne“, theksoi Conte. /abcnews.al