Interi siguroi një fitore 0-2 jashtë fushe përballë Ludugorets dhe është me një këmbë në turin tjetër të Europa League. Trajneri i skuadrës zikaltër, Antonio Conte analizon fitoren, ndalet te Christian Eriksen, i cili gjeti golin e parë me Interin, dhe e mbyll me një koment për këtë kompeticion.
“Në pjesën e parë ritmi ishte i ulët dhe u përshtatëm me situatën. Në 45 minutat e dyta ndryshuam presionin, intensitetin dhe ritmin e ndeshjes. Gjetëm golin dhe patëm shumë raste për të shënuar. Po mundohemi të gjejmë zgjidhje gjatë ndeshjes për të pasur sa më shumë alternativa.
Eriksen? Duhet të punojë, mendoj se mund të bëjë shumë më mirë se sa bëri sot. Duhet të gjejë ritmin dhe atë intensitet loje që e ka karakterizuar në të kaluarën. Nuk është në formën më të mirë fizike, por jemi të qetë dhe të duruar. E dimë që kemi gjetur një lojtar më cilësi, i cili është në gjendje të zgjidhë ndeshjen.
Europa League? Duam të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion, edhe pse mund të lodhemi psikologjikisht. Rrugëtimi ynë do të bazohet në rrotacion dhe alternime lojtarësh. Kush ka luajtur pak, meriton më shumë hapësira“, komenton Antonio Conte. /abcnews.al

