Interin e pret një transfertë e komplikuar nesër në mbrëmje. Zikaltrit e vendit të parë në Serie A, do të përballen me Parmën, ekip që po lufton për mbijetesë. Interi kryeson me 4 pikë mbi Milanin ndjekës dhe nesër vlen vetëm fitorja. Trajneri Antonio Conte analizoi takimin e radhës në kampionat në prononcimin e dhënë për mediat.
“Pres një ndeshje të vështirë, Parma na ka krijuar gjithmonë probleme. Ata nuk ndodhen mirë në renditje për momentin, por janë një ekip me eksperiencë dhe kualitet. Kanë një trajner të aftë dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, edhe prej faktit që Parma është e rrezikshme në kundërsulm.
Duhet të përmirësohemi në realizimin e golave. Krijojmë shumë raste si skuadër, jo vetëm me sulmuesit tanë. Duhet të shfaqemi më cinikë përpara portës kundërshtare. Presioni do të vijë në rritje deri në fund. Jemi në krye dhe duhet ta menaxhojmë mirë presionin. Të luajmë me pjekurinë e duhur, vetëm kështu vijohet me fitore.
Serie A është e vështirë, çdo ndeshje ka kurthet e veta. Duhet të mbajmë një ritëm të mirë, deri në fund do i kemi të gjithë ndeshjet finale. Nevojitet të jemi të fortë në aspektin psikologjik dhe të zbresim në fushë me personalitetin e duhur“, deklaroi trajneri i skuadrës italiane. /abcnews.al