Antonio Conte ka arritur të futet në zemrat e tifozëve të Interit, por ka edhe nga ata që janë ende skeptikë. Sidomos në lidhje me të kaluarën e tij si juventin.
Sandro Mazzola është një simbol i ekipit të Helenio Herrerës, që dominoi në Itali dhe Evropë. Ai luajti për 17 sezone rresht me zikaltrit dhe fitoi 4 tituj kampionë dhe 2 Liga Kampionesh.
Në një prononcim për Rai Radio 1, Mazzola rrëfen të gjithë shqetësimin e tij në lidhje me trajnerin e ri të ekipit.
“Antonio Conte nuk më bind. Kur flet, më duket sikur bisedon akoma me juventinë dhe jo me ne. Juventin lind, ashtu siç lind interist dhe është e vështirë të ndryshosh. Conte është ende juventin, por nuk kemi çfarë bëjmë. Është diçka që e ndjen dhe e ka brenda tij”, përfundon ish-kapiteni i Interit. /abcnews.al