Roma-Inter ishte një ndeshje e bukur, u shënuan 4 gola, por në fund nuk pati fitues. 2-2 përfundoi sfida e luajtur në “Olimpico”, rezultat që kënaqi… Milanin. Kuqezinjtë e kanë çuar në 3 pikë diferencën me Interin e vendit të dytë.
Zikaltrit e Antonio Contes ishin shumë afër fitores, por një gol i Mancinit 4 minuta përpara fundit të takimit evitoi humbjen e Romës. Trajneri i Interit, Antonio Conte analizoi përballjen në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.
“Mendoj se ishte një ndeshje e bukur sot. Luajtëm mirë edhe në pjesën e parë. Përballë kishim një ekip me të njëjtat objektiva si ne, Roma është forca e tretë e kampionatit dhe ka vetëm tre pikë më pak se ne.
Të vish në ‘Olimpico’ dhe të bësh këtë lloj loje ndaj tyre, do të thotë që jemi një skuadër e mirë, e organizuar dhe me fizionominë e duhur. Në fund e ndjemë disi ankthin e rezultatit. Një gjë e tillë ndikon psikologjikisht të tërhiqesh në mbrojtje.
Ne tentojmë gjithmonë të qëndrojmë në sulm, nuk më pëlqen kur ekipi kthehet pas në mbrojtje. Ka raste kur pësojmë gola prej faktit që na pëlqen të bëjmë presing lart, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.
Aspekti pozitiv është që mund të sulmosh vertikalisht kur ia del të rikuperosh topin falë presingut të bërë lart, por nëse ndodh e kundërta rivalët tanë sulen menjëherë drejt portës tonë dhe rrezikojmë shumë.
Nuk duhet të harrojmë faktin që kemi luajtur me të njëjtin formacion në tre ndeshjet e fundit. Në kushte të tilla është e pashmangshme që të mos kesh shumë energji në 15 minutat e fundit të ndeshjes“, përfundon Conte. /abcnews.al