Interi doli pa pikë nga transferta me Real Madrid në mesjavë. Ekipi zikaltër humbi 3-2 në sfidën e Champions League, teksa nesër (15:00) e pret një tjetër ndeshje shumë e vështirë jashtë fushe me Atalantën, kësaj radhe në kampionat.
Antonio Conte ka folur në lidhje me sfidën kundër djemve të Gasperinit, të cilin e vlerëson shumë për futbollin që po praktikon tek Atalanta. Lukaku ka mundësi të luajë, teksa trajneri tregon se çfarë i mungon skuadrës së tij.
“Jemi të lodhur dhe do të përpiqemi të bëjmë llogaritë e duhura, me synimin për të menaxhuar sa më mirë ata që janë konsumuar shumë në takimet e fundit. Lukaku? Me shumë mundësi do të grumbullohet për këtë ndeshje, pasi është stërvitur me ne.
Sezonin e kaluar luajtëm mirë në fushën e Atalantës dhe fituam 0-2, por nuk është kurrë e thjeshtë të përballesh me këtë skuadër. Gasperini është një trajner i madh, i cili i ka krijuar ekipit qëndrueshmëri dhe efikasitet në fazën sulmuese.
Duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe kundër tyre. Rezultatet vijnë duke zhvilluar një futboll cilësor. Na mungon ende diçka për të fituar këto lloj sfidash. Ajo pak është e rëndësishme, por akoma nuk e kemi.
Ekipi? Ka disa momente kur ndryshon shumë dhe në raste të tjera jo edhe aq. Kemi pasur shtatë lojtarë të prekur nga pandemia dhe dy të tjerë të dëmtuar, kështu që je i detyruar të përgatitësh një plan rezervë.
Kur ke lojtarët në dispozicion dhe aplikohet në fushë strategjia e duhur, çdo gjë është në rregull, përndryshe gjithçka vështirësohet“, deklaron trajneri i Interit. /abcnews.al