Dy fitore dhe 9 gola të shënuar. Interi triumfoi 2-5 në fushën e Beneventos, rezultat që gëzon Antonio Conten. Trajneri i ekipit zikaltër foli pas triumfit në transfertë për Sky Sports, ku ndër të tjera tha:
“Jemi një ekip që na pëlqen të sulmojmë. Ka raste kur ndëshkohemi me gola dhe duhet të punojmë në gjetjen e ekuilibrit të duhur. Gjithsesi, po zbavitem shumë me futbollin që po luan ky Inter, jemi bërë të rrezikshëm në ofensivë.
Djemtë e nisën takimin shumë mirë, qëndrimi në fushë ishte i duhuri. Na pret një rrugë e gjatë përpara, kemi shumë punë për të bërë. Titulli? Duhet të kënaqemi nga fakti që të gjithë na respektojnë.
Sezonin e kaluar ishim surpriza e madhe. Mos harroni që ka vite që Interin nuk e konsideron askush ekip favorit. Kemi fituar besim të madh tek aftësitë tona“, përfundoi trajneri i skuadrës zikaltër. /abcnews.al