Interi luan ndeshjen e radhës në kampionat ditën e nesërme (e shtunë). Zikaltrit presin Parmën në “San Siro, sfidë që nis në orën 18:00. Fitorja është alternativa e vetme, teksa Antonio Conten e shqetëson dëmtimi i Romelu Lukakut.
Sulmuesi belg ka humbur takimin me emilianët dhe atë ndaj Real Madrid në Champions League mesjavën e ardhshme. Trajneri i Interit foli rreth gjendjes së ekipit të tij, kundërshtarit të ditës së nesërme dhe lojtarëve të tij.
“Lukaku ndjeu shqetësime muskulore në momentin që ekzekutoi një goditje dënimi në sfidën me Shakhtar. Ka pësuar një tërheqje dhe ka rëndësi që të rikuperohet plotësisht e pa u nxituar. Mungesa e tij ndikon, por kam besim maksimal te lojtarët e tjerë.
Romelu është i rëndësishëm për ne, njësoj siç janë të gjithë lojtarët e ekipit. Përballë Parmës mungon edhe Sanchez. Na vjen keq, pasi kishim shumë nevojë për të në këto momente. Gagliardini ndodhet mirë dhe do të luajë nesër.
Jam i lumtur që e kam sërish në dispozicion, pasi në repartet e mesfushës dhe sulmit jemi goditur shumë që pas ndeshjeve të kombëtareve. Vidal na ka sjellë pjekuri, jam i kënaqur me të dhe do i krijoj mundësinë të pushojë disi.
Parma? Janë një ekip me një fizionomi lojë të përcaktuar qartë. Skuadrat e Liveranit tentojnë gjithmonë të prodhojnë futboll. Do të jetë një përballje e vështirë, por duhet të përpiqemi të sigurojmë tre pikët.
Perisic ka luajtur si ‘pykë’ më parë dhe kroati mund të jetë një opsion për majën e sulmit kundër Parmës. E njëjta gjë vlen edhe për Pinamontin, i cili, pavarësisht se duhet të rritet, sot përfaqëson një alternativë të vlefshme“, deklaron Antonio Conte. /abcnews.al