Tek Interi janë gati për duelin e parë gjysmëfinal të Kupës së Italisë ndaj Juventusit. Zikaltrit presin armatën e Andrea Pirlos në “San Siro” mbrëmjen e nesërme (e martë, 20:45), teksa do të mungojë Romelu Lukaku, i pezulluar me një ndeshje pas sherrit me Ibrahimovic.
Antonio Conte e di që Juventusi do të jetë ndryshe dhe do të tentojë hakmarrjen për humbjen e 17 janarit në kampionat. Në prononcimin e dhënë për Rai Sport, trajneri i Interit zbulon zëvendësuesin e Lukakut dhe jep një koment për Christian Eriksen.
“Duhet të kemi respekt të madh për një skuadër të fortë, duhet të tregohemi të aftë nesër dhe të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Ata do të tentojnë hakmarrjen pas humbjes që pësuan në kampionat kundër nesh. Kualifikimi do të vendoset në 180 minuta, njësoj si vitin e kaluar me Napolin.
Humbëm 0-1 në shtëpi dhe barazuam 1-1 në fushën e tyre. Ndaj Juventusit nevojitet të japim më të mirën tonë. Lukaku? Nuk është hera e parë që na mungon, përkrah Lautaros do të luajë Sanchez. Romelu reagoi mirë dhe u përgjigj me dy gola ndaj Beneventos.
Le të pushojë, të rikuperojë energjitë dhe të përgatitet për takimin e radhës në kampionat. Eriksen? Christian është një djalë shumë i mirë dhe po përkushtohet shumë. Ne po tentojmë të punojmë shumë me të për të gjetur, jo një, por shumë zgjidhje dhe mundësi për të“, deklaroi Conte. /abcnews.al