Conte: Këmbëngula unë për Lukakun! Udinese? U mësuam me këtë mënyrë tani

schedule09:50 - 3 Shkurt, 2020

schedule 09:50 - 3 Shkurt, 2020

Antonio Conte iu gëzua fitores në transfertë kundër Udinese. Interi ia doli falë sulmuesit Romelo Lukaku, i cili merr vlerësime maksimale nga trajneri italian. Një analizë e lojës nga Conte, një koment për kundërshtarin dhe sigurisht për Christian Eriksen. Trajneri i Interit, direkt pas ndeshjes, foli për Sky Sport Italia dhe theksoi se tani skuadra e tij ka më shumë cilësi.

NDESHJA – “Nuk është kurrë e lehtë kundër një ekipi si Udinese. Janë një ekip shumë i përgatitur fizikisht dhe na kanë krijuar shumë probleme edhe në ndeshjen e parë në ‘San Siro’. U munduam të merrnim iniciativën, kurse kundërshtari u fokusua te mbrojtja dhe tentonte të dilte para me kundërsulme.

Për ne nuk është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë, ku kundërshtarët mbyllen prapa dhe mundohen të na dëmtojnë pasi marrin topin. Tani kemi më shumë cilësi në skuadër dhe do përpiqemi të gjejmë zgjidhje të tjera për ta hapur atë lloj kyçi. Në disa raste shkuam shumë thellë dhe besoj se sulmi është forma më e mirë për t’u mbrojtur”, tha Conte fillimisht.

 

Romelu Lukaku

LUKAKU – I pyetur për paraqitjen e sulmuesit belg, ai shtoi: “Romelu ka cilësi dhe kjo nuk ishte paraqitja më e mirë. Duhet të paraqitet edhe më mirë. Fakti që ai shënoi dy gola është i rëndësishëm, por ai mund të bëjë edhe më shumë në aspekte të tjera të lojës. Është përshtatur mirë me skuadrën dhe mund të flas vetëm fjalë të mira për të. Jam shumë i lumtur që kam këmbëngulur që ai të vijë këtu”.

ERIKSEN – Sigurisht nuk mund të mos pyetej edhe për mesfushorin danez, i cili luajti për rreth një orë. Contes iu vu në dukje fakti që Interi shënoi pikërisht pasi doli Eriksen dhe trajneri i Interit e mori në mbrojtje futbollistin e tij. “Si një lojtar që ka vetëm pesë ditë që ka mbërritur tek ne, mendoj se pati një ndikim pozitiv në lojën e skuadrës. natyrisht duhet të përshtatet me stilin tonë të lojës, të ketë nivelin e duhur fizik për një ndeshje në Serie A.

Personalisht jam i kënaqur me paraqitjen që bëri si titullar. Eriksen kishte disa detyra taktike, kur kishte topin dhe kur ishte pa të. Nuk dua t’ua zbuloj ju të gjitha sekretet. Ai do ta mëzojë edhe pozicionimin që duam ne nga mesfushorët. Janë ditët e para të tij këtu dhe jam i kënaqur”, ka përfunduar Conte deklaratën e tij. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!