Interi siguroi një fitore tepër të rëndësishme mbrëmjen e kaluar. Zikaltrit mposhtën 1-0 Napolin në “San Siro” falë rrjetës së Romelu Lukakut dhe tani renditën në vend të dytë në kampionat me vetëm një pikë më pak se Milani kryesues.
Antonio Conte analizoi suksesin ndaj ekipit të Gattusos, duke pranuar se nuk ishte aspak e lehtë marrja e tre pikëve. “Nuk ishte aspak një ndeshje e lehtë, Napoli është një ekip i shkëlqyer.
Ishte një përballje shumë taktike, të dy ekipet e respektuan njëri-tjetrin. Sigurisht që nuk ishte një ndeshje e bukur për t’u parë, por rëndësi kanë tre pikët që morëm.
Fitorja ndaj një skuadre ambicioze si Napoli vlen dyfish. Djemtë e ndjenë peshën e fitores në minutat e fundit. Interi duhet të mësohet të vuajë dhe t’i përjetojë këto lloj situatash, por është një sinjal i mirë të fitosh në këtë mënyrë“, deklaron Conte. /abcnews.al