Interi nuk hasi probleme në sfidën shtëpiake me Genoan, të cilën e fitoi 3-0. Zikaltrit kryesojnë të vetëm Serie A, ndërsa Antonio Conte tenton të largojë euforinë dhe mendon për sfidën e radhës, atë ndaj Parmës në transfertë.
“U përballëm me një skuadër që në ndeshjet e fundit ka siguruar vetëm një pikë më pak se ne. Sot luajtëm mirë, pashë dëshirën e duhur te lojtarët, nuk i lejuam hapësira Genoas dhe u treguam të aftë në shënimin e tre golave.
Jemi të lumtur, po na shpërblehet puna e madhe që bëjmë. Interi po rritet si skuadër, por edhe lojtarët po përmirësohen në aspektin individual. Jemi më agresivë, teksa jemi përmirësuar shumë kur topin e ka skuadra kundërshtare.
Mos të harrojmë, Perin kreu disa pritje. Sanchez? Mendoj se Alexis ndodhet në momentin më të mirë psiko-fizik prej që kur është tek Interi. Është i vendosur dhe ka dëshirë të madhe për të bërë mirë, ka ndryshuar për mirë.
Dëmtimet që ka pësuar kanë pasur ndikimin e vet. Më pëlqen qëndrimi i tij, i besoj shumë dhe dua ta komplimentoj. Mungojnë edhe 14 ndeshje deri në fund, dua të pres ndeshjen me Parmën, në letër duket një sfidë e kalueshme, por duhet të tregojmë veten tonë, edhe ndaj skuadrave jo të mëdha në letër.
Duhet të luajmë njësoj kundër të gjithëve, është e vetmja mënyrë për të bërë diçka të bukur dhe për t’u dhuruar kënaqësi interistëve. Roma-Milan? Do ta shikoj, futbolli është pasioni im dhe është një ndeshje e bukur. Sigurisht që do e ndjek“, deklaroi trajneri i Interit. /abcnews.al