Interi siguroi një fitore të madhe mbrëmjen e sotme. Zikaltrit dominuan Juventusin në çdo aspekt, rival që e mposhtën 2-0 falë golave të Arturo Vidal dhe Nicolo Barellas. Një sukses që gëzon Antonio Conten dhe ngjit Interin në vend të parë bashkë me Milanin (kuqezinjtë luajnë nesër ndaj Cagliarit). Trajneri i Interit foli pas ndeshjes për mediat, ku ndër të tjera tha:
“Për të mposhtur një skuadër si Juventusi duhet të zhvillosh një ndeshje në kufijtë e perfeksionit, dhe sonte ia dolëm për mrekulli. Sonte e vramë Juven në aspektin futbollistik. I vumë në praktikë lëvizjet që kishim planifikuar për t’i bërë keq kundërshtarëve. Këto ndeshje të bëjnë të kuptosh se ndodhemi në rrugën e duhur. Juventusi dominon prej 9 vitesh, por Interi është kthyer të ketë kredibilitetin e tij në Itali dhe futbollin evropian.
Shitja e Interit? Ne nuk mund të themi se nuk është me interes, sepse do të ishte një gënjeshtër e madhe. Në të njëjtën kohë kam qenë i qartë me lojtarët dhe të gjithë ata që punojnë në klub. Duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë, t’i bëjmë tifozët tanë krenarë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. E dija që në gusht se kishte disa probleme.
Shpresoj që situata të zgjidhet në mënyrën më të mirë. Uroj të shkojë gjithçka mirë për Interin dhe për ne“, deklaron Conte, i cili e mbyll me një koment për golat e munguar nga sulmuesit. “Nuk shënuam me sulmuesit tanë dhe kjo ndodhi për shkak se na mungoi fati, pasi Lautaro dhe Lukaku patën mundësi shënimi. Kjo është një skuadër që krijon shumë raste për gol.
Gjithsesi na mungon ai instinkti vrasës para portës dhe zakonisht na duhen 3-4 raste për të shënuar. Në të njëjtën kohë kemi një ekip që siguron gola nga lojtarë të ndryshëm, nga pozicione të tjera. Ndaj edhe nuk jam i shqetësuar“. /abcnews.al