Interi i bëri një mbyllje spektakolare vitit 2020. Zikaltrit mposhtën 1-2 Hellas Verona në transfertë, duke siguruar fitoren e shtatë radhazi në kampionat. Interi renditen në vend të dytë me 33 pikë, një më pak se Milani kryesues.
Trajneri i Interit, Antonio Conte ndihet i lumtur për fitoren e sotme dhe në prononcimin e dhënë pas ndeshjes tha këto fjalë: “Historia e Interit na detyron të luftojmë gjithmonë për të fituar tituj. Ka raste kur ndodhesh në majë, në raste të tjera gjërat nuk ecin mbarë.
Milani, Juventusi dhe Interi mbeten gjithmonë favorite, por janë shtuar edhe skuadra të tjera të rëndësishme si Napoli, Roma, Lazio dhe Atalanta.
Fitorja e sotme? Rëndësi të madhe në këto momente ka që të mbetemi në vendet e para të renditjes. Ishte fitorja e shtatë radhazi në kampionat, diçka që në jap besim dhe moral. Ndodhemi në rrugën e duhur, të vazhdojmë kështu përpara.
Sot kishim një dëshirë të madhe për fitore, më pëlqeu kjo gjë nga skuadra. U shfaqëm cinikë edhe pasi pësuam golin. Kështu duhet të vazhdojmë deri në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Titulli? Nuk duhet të mendojmë për Milanin po për veten tonë, të mendojmë për të bërë më të mirën. Do të jetë një kampionat shumë i ekuilibruar dhe i vështirë. Shumë skuadra janë forcuar dhe duan të shfaqen protagoniste“, përfundon Conte. /abcnews.al