Conte: Fitore që na mbush me energji, ndaj Juves dallohet Interi i vërtetë

schedule20:17 - 13 Janar, 2021

schedule 20:17 - 13 Janar, 2021

Një gol i Lukakut në minutën e 119-të, i dhuroi Interit fitoren 1-2 në fushën e Fiorentinës dhe kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, kompeticion të cilit zikaltrit duan t’i shkojnë deri në fund. Një rezultat që gëzon Antonio Conten.

Trajneri i Interit preku disa tema gjatë prononcimit të dhënë pas ndeshjes për Inter TV. Të dielën luhet një sfidë tepër e rëndësishme në kampionat, me Interin që pret Juventusin në “San Siro”. “Djemtë u treguan të aftë, luajtën për 120 minuta me një ritëm të lartë dhe organizim të mirë.

Jam i kënaqur edhe me ata që nuk kanë pasur shumë mundësi për të luajtur, mora rezultate pozitive prej tyre. Kjo tregon se e kanë në zemër Interin dhe gjithmonë duan të bëjnë mirë.

Të gjithë ndihen të përfshirë, kemi një grup të shkëlqyer lojtarësh. Lojtarët janë të stërvitur mirë dhe ishte pozitive të arrinim kualifikimin në një fushë të vështirë si kjo e Firences. Çdo fitore është energji e pastër, të karikon në maksimum.

Juventusi? Luajmë të dielën ndaj tyre, kështu që kemi kohë për t’u rikuperuar. Është një test shumë i rëndësishëm për ne, do shohim se në çfarë niveli jemi realisht dhe sa e kemi ulur diferencën me ta në krahasim me sezonin e kaluar“, thekson trajneri i Interit. /abcnews.al