Inter triumfoi kundër SPAL me rezultatin 0-4 dhe trajneri Antonio Conte u shfaq i lumtur para medieve pas ndeshjes. “Gjëja më e rëndësishme për ne ishte të dërgonim një sinjal qëndrueshmëri, besimi, urie dhe vendosmërie, pasi këto lloj ndeshjesh mund të duket të lehta në letër”, tha fillimisht tekniku italian.
“Ne e dimë shumë mirë që nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. SPAL u tregua i ashpër, siç ka bërë edhe më parë. Donim të siguronim pikët për Champions League, sikurse duam edhe vendin e dytë. Mendoj se ekipi dërgoi një sinjal për forcën mendore që ka, edhe pse kemi paguar për gabimet e bëra rrugës”, shtoi Conte.
Më pas i pyetur për mesfushorin danez, Christian Eriksen, trajneri i Interit deklaroi: “Po punon dhe po mundohet të futet në mekanizmat e ekipit dhe të një kampionati që është më taktik se Premier League. Ai është një lojtar me cilësi dhe po përpiqet të përmirësohet, të jetë më agresiv kur bën presing dhe kjo është ajo që ne kërkojmë.
Jam i kënaqur për të, por duhet të vazhdojë të punojë sikurse bëjnë edhe të tjerët. Ai është pak i ndrojtur, i vendosur në një realitet të ri, në një tjetër lloj futbollit. Kemi të bëjmë me një djalë të mirë, që ka ardhur pa arrogancë. I mbetet të përshtatet dhe t’i kuptojë më mirë disa situata të caktuara në lojë”.
Interi shënon me lojtarë të ndryshëm dhe Conte krenohet me këtë gjë: “Që nga izolimi kemi ndryshuar modulin në 3-5-2, për të luajtur me Eriksen mes linjave. Kështu edhe sulmuesit i ndryshuan lëvizjet e tyre. Mund të jetë rastësi, por mendoj se jemi skuadra e vetme me 18 golashënues të ndryshëm. Kështu kemi disa rreziqe më shumë se në të shkuarën, por jemi të paparashikueshëm dhe i shtyjmë lojtarët përpara për të mbështetur sulmin”. /abcnews.al