Interi kapi vendin e parë të Serie A javën e kaluar dhe nuk dëshiron ta lëshojë më. Nesër luhet derbi i Milanos ndaj kuqezinjve ndjekës (Milani numëron një pikë më pak). Antonio Conte flet rreth kësaj ndeshje në konferecën për shtypin, teksa prek edhe disa tema të tjera.
“Do të jetë një derbi ndryshe nga të kaluarit, kjo për faktin që të dy ekipet renditen në vendet e para. Duhet fituar ndeshja për të vijuar të bëjmë mirë në kampionat . Qetësia e momentit duhet të na japë më shumë dëshirë dhe entuziazëm për derbin e nesërm. Milani është i fortë dhe sfida ndaj tyre është një test i rëndësishëm për ne.
Të dy ekipet do të tentojnë të tejkalojnë njëra-tjetrën, arbitri kryesor është i shkëlqyer dhe nuk shoh ndonjë shkak për të pasur nervozizëm. Formacioni? Kam tre dilema. Erkisen po përmirësohet, ka bërë një përparim të madh. Kjo është e mirë për të gjithë ne. Fitorja jonë nuk ndryshon shumë gjëra në renditje, ka plot ndeshje të tjera.
Jemi vetëm një pikë sipër kuqezinjve, kështu që gara për titull është më e hapur se kurrë. Nuk duhet të harrojmë se na presin duelet me Genoan dhe Parmën. Të parët janë në rritje, ndërsa Parma do pikë për të mbijetuar. Çdo ndeshje ka nevojë për optimizëm, fitoret pastaj të shtojnë moralin, diçka shumë e rëndësishme.
Lukaku si Ibra në Sanrema? Preferoj që Romelu të këndojë nesër në derbi“, përfundon Antonio Conte, i cili shpreson të rikthejë Interin te titulli, trofe që i mungon klubit italian prej vitit 2010. Në stol ishte njëfarë Jose Mourinho, i cili udhëhiqte ekipin zikaltër drejt fitimit të Tripletës së famshme. /abcnews.al