Shtatë fitore radhazi në Serie A dhe vendi i parë me 6 pikë më shumë se Milani. Interi ndodhet në formë të shkëlqyer dhe titulli kampion është afër. Sot erdhi një fitore e madhe përballë Atalantës, ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur.
Interi u shfaq cinik dhe gjeti rrjetën në gjuajtjen e vetme që bëri në kuadratin e ekipit nga Bergamo. Fitorja e gëzon Antonio Conten, i cili nuk i kursen elozhet për ekipin kundërshtar në prononcimin e dhënë për Sky Sports.
“Jemi sërish +6 pikë nga vendi i dytë. Milani dhe Juventusi i fituan ndeshjet e tyre dhe kishim njëfarë presioni sonte. Ama, e kemi të qartë që presioni do të vijë në rritje deri në fund të sezonit.
Atalanta është një ekip që i merr pikë të gjithë skuadrave të mëdha. Kanë barazuar me Juven dhe kanë mposhtur Interin. Ata e kishin përgatitur me shumë kujdes ndeshjen kundër nesh.
Janë një ekip që të lëndon dhe i druheshim një gjëje të tillë. Sonte morëm tre pikë të rëndësishme kundër një kundërshtari të shkëlqyer, ia dolëm të nxjerrim Atalantën jashtë garës për titullin.
Më vjen mirë, pasi ata mund të synonin kreun, janë pjekur shumë dhe kanë zhvilluar ndeshje fantastike në Evropë. Atalanta ka lojtarë të një niveli shumë të lartë.
E vërtetë, ne goditëm vetëm njëherë në portë. Jemi sulmi më i mirë i kampionatit, sot u ndeshëm me sulmin e dytë më të mirë. Kemi gjetur ekuilibrin e duhur, kjo është e rëndësishme“, deklaroi Conte. /abcnews.al