Sporti i UFC-së po rritet gjithmonë e më shumë dhe me një audiencë prej miliona fansash, po dalin në skenë dhe emra shumë të njohur. Jorge Masvidal, Nate Diaz, Israel Adesanya, Max Holloway, Khabib Nurmagomedov, Daniel Cormier, Jon Jones dhe Conor McGregor janë vetëm disa nga yjet e këtij sporti, që adhurohen nga miliona njerëz.
Pasi Khabib mposhti Dustin Poirier, e gjithë vëmendja është fokusuar në UFC 245, që do të zhvillohet në dhjetor. Pritet të ketë disa duele shumë interesante, por dhe rikthimi i yllit më të madh të këtij sporti, Conor McGregor.
Luftëtari irlandez nuk ka luftuar në oktagon që nga tetori i vitit 2018, në atë humbje kundër Khabib Nurmagomedov. Sot, trajneri i tij, John Kavanagh, ka folur për MacLife, ku ka treguar se McGregor po planifikon rikthimin në dhjetor, madje ka dhënë dhe një emër si rival i mundshëm:
“Conor do të ndeshet këtë vit, që më pas të pushtojë sërish oktagonin gjatë vitit 2020. Frenkie Edgar është një alternativë që po e studiojmë, një luftëtar shumë i fortë fizikisht dhe me një karrierë të pasur. Ajo është ndeshja që duhet organizuar”, tha mes të tjerash Kavanagh.
McGregor ndiqet nga më shumë se 30 milionë fansa në Instagram dhe të gjithë po presin me padurim rikthimin e tij./abcnews.al