Florian Marku po bëhet gati për duelin kundër Rylan Charlton, që do të zhvillohet sot në Londër. Boksieri shqiptar, pas shtatë fitoresh u ndal në barazim në muajin dhjetor dhe tani kërkon që të tregojë se ai barazim ishte vetëm një “aksident” dhe “Mbreti Shqiptar”, siç e quajnë në Angli, mund të sundojë boksin në ishull përsa i përket peshës së tij.
Intervistat e tij kanë qenë të shumta, ndërkohë që ka folur së fundmi për Sky Sport. Në këtë intervistë ai flet edhe për Conor Ben, me të cilin ka shkëmbyer shumë polemika prej muajsh për shkak se anglezi refuzoi një betejë me të.
“Unë nuk jam si Conor Benn, që zgjedh kundërshtarë që kanë humbur 6, 7, 8 herë. Jo, kundërshtarët e mi janë të pamposhtur. Ata nuk e japin lehtë humbjen e tyre. Ai është frikacak.
Në mendjen time, unë jam më i miri. Nuk shoh të jetë njeri më i mirë se unë. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan. Nuk më intereson çfarë thonë. Unë jam i sigurt me veten dhe nëse nuk je kështu në boks, ke ngatërruar sport.
Nuk hyj në ring me mendimin se kundërshtari do të më mundë. Për Rylan Charlton, unë mendoj se ai është i fortë, por jo më i fortë se unë, kurrë. Ai është shumë i ngadaltë për mua, për stilin tim. Jo teknik.
Asnjë kundërshtar deri më tani nuk më ka qëndruar afër për të grushtuar. Shpresoj që Rylan të qëndrojë atje dhe të mund të tregoj aftësitë e mia në boks”, u shpreh Marku. /abcnews.al