Juventusi luan të martën në mbrëmje (21:00) sfidën e dytë të raundit të 1/8-ve të Champions League. Përballë është Porto, që e fitoi 2-1 takimin e parë. Kampionët e Italisë do të bëjnë maksimumin për të siguruar kualifikimin në çerekfinale, por të njëjtin objektiv kanë edhe “Dragonjtë e Oportos”.
Trajneri Sergio Conceicao vlerëson skuadrën e Pirlos, por në të njëjtën kohë karikon edhe djemtë e tij në konferencën për shtypin. Porto do të tentojë fitoren në Torino, sfidë që po pritet me interes të madh. “E njohim mirë Juventusin, ata kanë rikuperuar kohët e fundit disa lojtarë të rëndësishëm si Cuadrado.
Do të bëjmë të pamundurën për të qenë të denjë për stemën dhe historinë që ka klubi ynë. Do të përballemi me një skuadër që ka luajtur në finale të këtij kompeticioni dhe ka investuar shumë për të fituar trofeun e madh.
Do të luajmë si skuadër dhe do të futemi në fushë për fitore. Kemi disa lojtarë në dyshim, kanë luajtur më shumë se të tjerët dhe kanë disa probleme fizike. Por, ne trajnerët e kemi detyrë të gjejmë zgjidhje të tjera“, deklaroi Coinceicao. /abcnews.al