CNN ka paditur presidentin Donald Trump dhe figura të rëndësishme të stafit të tij për heqjen e aksesit të gazetarit të saj në aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë. Në padi, rrjeti informativ pretendon se presidenti ka shkelur amendamentin kushtetues për lirinë e shprehjes.
CNN ka ngritur të martën një padi ligjore ndaj presidentit Donald Trump dhe administratës së tij, për heqjen e kredencialeve të gazetarit korrespondentit të saj në Shtëpinë e Bardhë, Xhim Akosta. Në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Uashingtonit, rrjeti informativ amerikan kërkoi që gazetarit t’i kthehen kredencialet dhe akuzoi administratën për shkelje të lirisë së shprehjes, që garantohet me Kushtetutë.
Duke reaguar, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se padia është një tjetër përpjekje e CNN për të qenë në qendër të vëmendjes dhe paralajmëroi se administrata do të mbrohet prej saj. Heqja e kredencialeve javën e kaluar është konsideruar përshkallëzim i sulmeve të presidentit Trump ndaj mediave.
Në muajt e fundit kreu i shtetit i ka intensifikuar tonet ndaj reporterëve që mbulojnë aktivitetet e tij, duke kaluar edhe në fyerje personale në rastet kur ata kanë bërë pyetje që atij nuk i kanë shkuar për shtat. Një ditë pas zgjedhjeve të 6 Nëntorit, Trump shpërtheu ndaj gazetarit Xhim Akosta pasi gjatë konferencës për shtyp ai e pyeti mbi ndërhyrjen ruse dhe karvanin e emigrantëve të nisur nga Amerika Qendrore.
“Mjaft! Mjaft më! Ti je një njeri harbut dhe i tmerrshëm. Je armiku i popullit”, i tha Trump gazetarit dhe menjëherë më pas i hoqi aksesin në Shtëpinë e Bardhë. Në padinë e saj, CNN citon Trump që paralajmëroi se të njëjtin fat mund të kenë edhe gazetarë të tjerë./abcnews.al