CNN: Kina gjurmon amerikanët përmes platformave online

schedule15:55 - 14 Nëntor, 2023

schedule 15:55 - 14 Nëntor, 2023

Ata janë në tokën amerikane, mijëra kilometra larg nga Pekini, por sërish po përndiqen dhe ngacmohen nga qeveria e Kinës. Gazetarja Xhiajang Fan thotë se ishte pushtuar nga mesazhet kërcënuese.

Ajo është bërë shënjestër e kërcënimeve online që kur mbuloi protestat pro demokracisë në Hong Kong, katër vite më parë. Më shumë se 12 mijë mesazhe në “Twitter” e quajnë atë tradhtare.

Është një përpjekje e koordinuar me llogari false dhe anonime dhe kjo fushatë konsiderohet një kamuflazh i spiunëve.

“Nga përmasat mund të themi se është rrjeti më i madh i dezinformimit në botë”, tha Darren Linvill, profesor në universitetin Clemson.

Profesori Linvill ka gjurmuar spiunët e kamufluar prej vitesh, por vetëm tani ka zbuluar se fushata e gjerë të dezinformimit është e lidhur me qeverinë e Kinës. “Mijëra e mijëra mesazhe përsëriten vazhdimisht”, u shpreh ai.

Shqyrtimi nga CNN i dokumenteve të gjykatës, raportimeve në rrjetet sociale dhe intervistave me viktimat, zbulojnë një fushatë masive frikësimi nga qeveria kineze, që shënjestron njerëzit në tokën amerikane.

“Më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk mbyllja llogarinë në YouTube”, tha Jiajun Qiu, ish-profesor në Kinë, rezident në SHBA.

Ai publikoi video pro demokracisë duke kritikuar qeverinë kineze nga zyra e tij në Virxhinia, duke iu përgjigjur kështu mijëra postimeve kërcënuese.

Një fushatë e gjerë frikësimi, në të cilën janë përfshirë edhe artistë për të krijuar ilustrime origjinale për të përndjekur viktimat.

“Është një përpjekje e sofistikuar. Jam i tronditur nga numri i platformave ku ne i ndeshim këto përmbajtje”, tha Linvill.

Departamenti amerikan i drejtësisë thotë se disa nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj fushate frikësimi janë policë të Kinës. Por një zëdhënës i ambasadës së Pekinit në SHBA tha se këto akuza të drejtësisë amerikane janë të fabrikuara dhe motivuara politikisht pasi pretendon se nuk ka prova konkrete.

Aktivisti Chen Pokong thotë se gjatë pandemisë organizoi një takim në zoom me mbështetës të demokracisë, në të cilin kishin hyrë dhe oficerë policie të Kinës duke e mbyllur sinjalin. Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron se qeveria kineze po shpenzon miliarda dollarë çdo vit për të manipuluar informacionet jashtë vendit. Nëse kjo nuk kundërshtohet mund t’i japë një formë të re panoramës globale të informimit.

“Gjaku i një partie komuniste është propaganda”, tha James Rubin, përfaqësues special i DASH.

/abcnews.al