“Çmimi i supës së përditshme”

schedule20:42 - 19 Nëntor, 2022

schedule 20:42 - 19 Nëntor, 2022

Nga emisioni Vetting: 

Në janar të vitit 2013, 6 muaj para marrjes së pushtetit kryeministri Rama shprehej i shqetësuar se pabarazia ekonomike në Shqipëri ishte në nivele shumë të larta, ku më pak se 5% e popullsisë zotëronin më shumë se gjysmën e pasurisë së shqiptarëve.

Po sot në çfarë gjendje janë shqiptarët, a është përmirësuar pabarazia ekonomike apo është thelluar më tej?

Ekipi i gazetarëve të ABC ka punuar për shumë ditë për të bërë të mundur realizimin e dhjetëra intervistave të njerëzve të varfër në thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë. Janë zëra njerëzish të papunë, familje në nevojë, jetimë, invalid, pensionistë të vetmuar prej largimit të fëmijëve dhe të braktisur nga shteti. Janë zërat që na tregojnë të vërtetën e Shqipërisë së vitit 2022 ku një pjesë e madhe e popullsisë është në kufijtë e mbijetesës. Nuk janë në zona të thella malore as në fshatra të braktisura nga të rinjtë, por janë në mes të qyteteve si Korça, Gjirokastra, Shkodra, Vlora e shumë qytete të tjera.

 

Shumica e qytetarëve i largohen kamerës sapo dëgjojnë pyetjen. Jo se nuk duan të flasin dhe kanë shumë për të thënë por shumica e tyre i largohen kamerës sepse kanë frikë. Ata nuk guxojnë të thonë të vërtetën e dhimbshme të varfërisë së tyre sepse kanë frikë se humbasin të vetmen të ardhur, asistencën sociale që është 3 mijë, 4 apo 6 mijë lekë në muaj. Njerëzit në këtë vend janë të tmerruar nga frika e ndëshkimit nëse guxojnë të tregojnë sa të varfër janë. Kanë frikë të flasin sepse në fakt në Shqipëri për të siguruar një vend si pastruese duhet të japësh ryshfet. Një zonjë nga Rrësheni na tregon se e ka humbur vendin e punës, jo se nuk ka pastruar mirë por se në vend të saj duhet të hynte një tjetër grua që mund të ishte e afërme e njerëzve me pushtet apo se iu kishte dhënë lekë njerëzve me pushtet.

Është e dhimbshme të konstatosh që një i papunë në Shqipëri trajtohet me 2 mijë a me 3 mijë lekë ndihmë sociale. Asnjëri prej tyre nuk e ka të sigurt pagesën e asistencës sociale pasi çdo muaj duhet të plotësojë disa dokumente që e vërtetojnë që ai nuk ka televizor me ngjyra apo një dum dum që transporton pleh nga stalla në arë…

Ligji nr. 9602 datë 28.07.2006 përcakton se ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë. Kjo shumë varion 3 deri në 6 mijë lekë të reja.

Kategoritë që e përfitojnë ndihmën ekonomike sipas këtij ligji janë:

  1. Familjet në nevojë.
  2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.
  3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
  4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.
  5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

 

Aktualisht niveli maksimal i ndihmës ekonomike është 6.850 lekë në muaj. Por në ligj theksohet se personi mund të përfitojë bashkë me pagesën e ndihmës ekonomike edhe kompensime në vlerë për çdo pjesëtar të familjes që është i papunë si dhe shtesën familjare (2.5% – 5%) për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, si dhe për të paaftët për punë.

Por çfarë mund të blejë një person a një familje me këtë shumë qesharake që përfitojnë si ndihmë sociale? “Vetting” ka bërë një vëzhgim në terren për të parë se si kanë ndryshuar çmimet e produkteve të shportës nga janari deri në nëntor të këtij viti.

Nëse mbledhim çmimet e produkteve të shportës do të shohim se në janar të vitit 2022 kanë kushtuar 3.922 lekë të reja, ndërsa 10  muaj më pas po të njëjtat produkte kushtojnë 6.145 lekë.

Pra vetëm me një blerje një qytetar që merr 6.850 lekë ndihmë ekonomike i mbeten vetëm 705 lekë për të paguar energjinë elektrike, ujin dhe për të bërë blerje të produkteve të tjera bazë, pasi vetëm me një blerje të produkteve të shportës një person e ka të pamundur të jetojë në një muaj. Ndërkohë një qytetar që merr 3 mijë lekë të vjetra vetëm me një blerje mund të blejë vetëm gjysmën e produkteve të shportës.

Në 22 shtator të këtij viti Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi vendimet e qeverisë për përfituesit e Paketës së dytë të Rezistencës Sociale. Ajo tha se me këtë vendim Paketa e dytë e Rezistencës Sociale do të mundësojë rritjen për herë të dytë brenda vitit të ndihmës ekonomike për të gjitha kategoritë.

Ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të rritej me 10%. Ndërsa për familjet që marrin asistencë dhe kanë dy fëmijë ndihma ekonomike do të dyfishohej nga 1 tetori. Për familjet me tre ose më shumë fëmijë ndihma ekonomike do të dyfishohet nga 1 janari.

Por sa përfiton një qytetar me këtë rritje, të konsideruar si rritja e dytë nga qeveria?

10% rritje për një qytetar i cili merr 3 mijë lekë është 300 lekë, duke e çuar në 33 00 lekë, ndërsa po të marrim vlerën më të lartë të ndihmës ekonomike rritja është 685 lekë duke shkuar në 7.535 lekë.

Sipas të dhënave në tabelën e mëposhtme, nga 147.497 familje përfituese të ndihmës ekonomike në vend për vitin 2000, vetëm 61.445 familje përfitojnë ndihme ekonomike për vitin 2020. Numri i përfituesve të ndihmës ekonomike ka ardhur në rënie drastike si pasojë e ndryshimeve legjislative duke përjashtuar kategori të caktuara.

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht një minimum jetik të popullsisë. Kjo mungesë e rendit Shqipërinë në vendet që nuk mund të garantojnë apo sigurojnë jetesën bazë të qytetarëve, me standardet e vendeve të botës së tretë.

Ekspertët tregojnë arsyet pse qeveritë nuk e përcaktojnë dhe miratojnë minimumin jetik.

Sipas ekspertes së ekonomisë, Suzana Guxholli kjo vjen sepse ne jemi një vend shumë i varfër, me një buxhet të limituar dhe të shpërndarë kryesisht sipas preferencave politike dhe të momentit.

Kreu i nismës “Thurje” thotë se  nëse ti e vendos me ligj minimumin jetik qytetari është më i lirë të rebelohet ndaj qeverisë, pra mund të protestojë, mund të kundërshtojë, mund të refuzojë që ta shesë votën për 50 mijë lekë apo për 50 euro dhe në një farë mënyrë është më i pakontrollueshëm.

Por a do të ndikonte miratimi i minimumit jetik në rritjen e pagave, pensioneve apo ndihmës ekonomike?

Sipas ekspertit të çështjeve sociale, Kastriot Sulka, miratimi i minimumit jetik nuk ka ndikim të detyrueshëm në rritjen e ndihmës ekonomike apo pensioneve, por në mënyrë indirekte ajo natyrisht do të fillonte që të ndërtonte të gjithë strukturën e buxhetit ta rishikonte edhe njëherë tjetër.

Përpjekjet e përcaktimit të Minimumit Jetik, të filluara dy dekada më parë, nuk kanë prodhuar asnjë rezultat të prekshëm. Sipas një studimi të Avokatit të Popullit në vitin 2020, një qytetari në Shqipëri i duhen 18.500 lekë për të jetuar në kushte minimale. Por pjesa më e madhe e pensioneve janë nën këtë shifër. Ndihma ekonomike gjithashtu nuk garanton kushtet minimale për të jetuar. Kjo shifër është shumë me lartë në krahasim me ndihmat sociale në Shqipëri ku pagesat e papunësisë nuk e kalojnë shifrën e 15.000 mijë lekëve, mesatarja e ndihmës ekonomike arrin 6.500 lekë, ndërsa ajo e pensioneve nuk kalon 9.500 lekë.

Organizata politike ka nisur prej disa javësh mbledhjen e firmave për të propozuar në parlament ligjin për përcaktimin e minimumit jetik. Aktivistët e kësaj organizate shfaqen çdo ditë nëpër rrugët e kryeqyteti duke mbledhur firmat për të plotësuar 20 mijë të tilla, numri i domosdoshëm për të mundësuar propozimin e një ligji.

Aktivisti i Organizatës Politike Klodi Leka na tregon se deri tani kanë arritur të mbledhin mbi 17 mijë firma dhe nëse ecin me këto rritme, në fund të muajit nëntor do ta dërgojnë projekt-ligjin në Kuvend. Aktivistët e Organizatës Politike i janë referuar studimit të Avokatit të Popullit të vitit 2021, sipas të cilit minimumi jetik në Shqipëri duhet të vendoset 18.500 lekë, por ata shprehen se po të përfshijmë edhe inflacionin si pasojë e krizës ekonomike atëherë minimumi jetik duhet të vendoset 20 mijë lekë.

Mungesa e minimumit jetik, shifrat e raporteve të organizatave ndërkombëtare për varfërinë në Shqipëri na tregojnë se në vendin tonë mungojnë politikat sociale në mbështetje të shtresave me të dobëta të shoqërisë. FMN, Banka Botërore e të tjera kanë sugjeruar një serë masash. FMN rekomandon që rritja e mbulimit të programeve të mbrojtjes sociale do të kërkojë rritjen e të ardhurave tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore duke zgjeruar pjesëmarrjen e fuqisë punëtore dhe duke reduktuar informalitetin. Për më tepër, do të jetë e rëndësishme të përmirësohet kuadri i sistemit të mbrojtjes sociale, duke përfshirë një mbulim më të shënjestruar dhe më të lartë të mbrojtjes sociale për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, dhe duke reduktuar gabimet e përjashtimit dhe pasaktësitë e informacionit të përfituesve.

Minimumi jetik është pragu që përcakton nivelin e të ardhurave ekonomike që do t’i duhet një familjeje për të jetuar me nevojat bazike. E drejta për të garantuar minimumin jetik është objektivi i sigurimit të ekzistencës së individit në përputhje me dinjitetin njerëzor të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj. Me sa duket shqiptarët e varfër nuk do ta kenë këtë të drejtë edhe për shumë kohë. /Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!