Detyrimet e familjeve të Tiranës për taksën e ndërtesës janë shtrenjtuar. Rritja e detyrimeve erdhi pas hyrjes në fuqi në fund të Korrikut të vendimit të ministrisë së Financave për shtrenjtimin e çmimeve të referencës së apartamenteve. Rritja e taksës së banesës varion sipas zonave të ndryshme.
Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së mërkurës edhe në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News, me të ftuar ekspertet Armelida Shtiza, Mirela Çela Jorgo dhe Arjola Sherin. Jorgo theksoi se kjo është një goditje për qytetarët pasi rritja e çmimit të referencës është vendosur në mënyrë artificiale.
“Çmimi i referencës ka pësuar ndryshim 100 për qind nga ajo që ka qenë, po themi nga 45 deri në 300 euro ka pësuar rritje. Varet në cilën zonë kadastrale ndodhen. Në lidhje me pasojat që do të vijnë nga VKM për çmimin e referencës, nuk janë të penalizuar ndërtuesit. Do të ndërtohet një ndërtim i ri, pasoja do të vijë tek populli. Unë do të blej një pasuri, i bie që s’do ta paguaj me çmimin e referencës sipas parashikimit të 2018-ës, ndryshojnë dy anekset dhe shtohen komplet çmime reference të tjera dhe ky ndryshim do sjellë si pasojë rritjen e çmimit të pasurisë në total të saj. Nëse një pasuri në zonën e Astirit ka bërë deri dje deri në 130 mijë euro, tashmë do të bëjë plus 50 për qind sipas rritjes që ka pësuar ajo zonë. Patjetër që do ta paguajë konsumatori.”, u shpreh Sheri.
Sheri shtoi se nuk është kryer studimi i duhur për të nxjerrë një referencë të tillë.
“VKM nuk është e studiuar por është marrë një udhëzim nga Enti i Banesave në mars të 2023-it dhe thotë që kjo banesa këtu të ketë këtë çmim reference sipas vlerës së tregut dhe informalitetit sepse nuk na e deklarojnë. Dhe shitësit dhe blerësit nuk e deklarojnë.“, shtoi ajo./abcnews.al