Adi Darsi
Lëvizja më e shpejtë që duhet ndërmarrë, për të ndikuar në rritjen e pakontrolluar të çmimit të karburanteve në treg, është ndërhyrja e qeverisë për të ulur taksat. Ky është njëri nga rekomandimet që bën qendra e ekspertëve fiskalë Altax, në një raport të publikuar këto ditë.
Në materialin e titulluar “Dialog kombëtar mbi karburantet dhe rritjen e çmimeve” thuhet shprehimisht se “Ulja e përkohshme e taksave është zgjidhja më e mirë për të kontrolluar rritjen afatshkurtër të çmimeve të karburantit, pasi nuk e fut në panik konsumatorin dhe ekonominë.
Por, gjithashtu ajo do ta ndihmonte jashtëzakonisht ekonominë në drejtim të eksporteve, por edhe për të mos humbur shansin e vijimësisë për të qenë konkuruesë në disa produkte bujqësore dhe industriale”.
Kjo masë e rekomanduar nga ekspertët që sipas tyre, mund të jetë një masë e përkohshme dhe e ndërmjetme, deri në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare “do të ndikonte edhe në uljen e deficitin të buxhetit nëpërmjet optimizimit të konsumit dhe kërkesës për më shumë mallra dhe shërbime”.
Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal pranë qendrës Altax thotë se tashmë është koha që qeveria ta marrë seriozisht ndërhyrjen dhe se për këtë ka ku të marrë edhe përvojë. “Më e pakta që mund të bëjë qeveria është të shikojë modelin e taksimit në Maqedoni dhe ta aplikojë atë, duke mbrojtur njëkohësisht tregun dhe konsumatorët”, thotë Gjokutaj.
Sipas vlerësimit të ekspertëve çmimi i lartë rekord i naftës do të thotë se kostoja e transportit të mallrave rritet në të gjithë vendin, gjë që nga ana tjetër duket se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve si një efekt zinxhir në blerjet dhe shitjet midis bizneseve dhe ato që shiten direkt te konsumatori.
Po ashtu sipas analizës së bërë rezulton që taksat dhe tarifat në Shqipëri janë veçanërisht të larta dhe së bashku ata përbëjnë afërsisht 55% të çmimeve përfundimtare.
Në aspektin më afatgjatë ekspertët rekomandojnë që duhet të bëhet: investigimi dhe analiza e modelit aktual të çmimit, rillogaritja dhe auditimi i elementeve ekzistues brenda modelit të çmimit, ulja e kostos së transportit për drejtuesit përmes investimeve efektive në rrugët me trafikun më të ngarkuar, shpërndarje transparente dhe përdorim më i mirë i fondeve nga taksat e karburanteve si edhe investime dhe nxitje financiare e fiskale për alternativa diversifikuese në përdorimin e mjeteve.
Sipas statistikave deri në fund të vitit 2021 në vendin tonë qarkullonin 711 mijë automjete, nga të cilat rreth 80% përbëhen nga autoveturat dhe 20 për qind kamionçin, kamionë, autobusë, motora e traktorë. Gjysma e këtyre mjeteve qarkullojnë vetëm në dy qarqe: Tiranë e Durrës. Nga totali i automjeteve sipas statistikave zyrtare 73% e tyre punojnë me naftë.
Në Shqipëri konsumohen rreth 500 mijë tonë karburante në vit. Ky treg qarkullon në një vit 100 miliard lekë (rreth 6% e PBB).
Për të patur një kuptim më të qartë për barrën fiskale mbi karburantet, në vijim po sjellim mënyrat e taksimit të karburanteve në Shqipëri dhe Maqedoni.
RASTET E SHQIPERISË DHE MAQEDONISË
Në SHQIPËRI nafta taksohet si vijon:
Akciza, 37 lekë për litër;
Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër;
Taksa karbonit, 3 lekë për liter
Tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila.
TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.
Tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, prej 3-5 lekë për liter
Tarifa e indeksimit të akcisës nga inflacioni (Nuk është llogaritur ende)
Në MAQEDONI:
Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet,
Në Maqedoni, çmimi përfshin edhe koston e transportit
Aktualisht çmimi I tregut në Maqedoni për Naftë për motorë EURODIZEL BS (D-E V) – 65,50 (denarë/litër) =1,05 euro=129.04 lekë për liter.
(Vendosur nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit (KRRE)
Në MAQEDONI, taksat direkte mbi naftën janë
Akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër)
TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 32% më të ulët se në Shqipëri).
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.
/abcnews.al