Çmimi i bukës, Ahmetaj: U bë një hetim i thelluar për importin e miellit, nuk u gjetën shkelje

schedule12:15 - 30 Shtator, 2021

schedule 12:15 - 30 Shtator, 2021

Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj vlerësoi vendimin e djeshëm të Komisionit të Konkurrencës, për të mos gjobitur me pesë milion euro pesë kompanitë që bëjnë importin e miellit dhe grurit në vend. Ai tha se ka besim te profesionalizmi i komisionerëve që votuan kundër gjobës, të cilët sipas tij vendosën pas një investigimi të thellë.

“Kam shumë besim tek Autoriteti i Konkurrencës, ata janë profesionistë në fushat e tyre dhe si një ent i pavarur e reskpetoj vendimin e tyre. Për sa më përket mua vendimi që kanë votuar se nuk ka monopol në tregun e miellit dhe nuk ka marrëveshje mes kompanive, praktikisht besoj se kanë bërë një investigim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjësi profesionale dhe qytetare”, tha Ahmetaj.

Tre komisionerë nuk aprovuan gjobën për kompanitë e importit të miellit pasi raporti që i kishte vënë para Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës nuk kishte fakte të mjaftueshme për të shkuar në një masë të tillë ekstreme. Gjoba 5 milion euro është praktikisht 10 për qind e xhiros së kompanive, gjë që mund të nxirrte nga tregu disa prej tyre.

Komisioni i Konkurrencës vendos vetëm duke iu referuar raportit që përgatit Sekretariati. Burime bënë me dije për Abcneës.al se raporti ishte përgatitur mjaft i dobët dhe nuk kishte listuar fakte që të vërtetonin se kompanitë kishin kryer shkelje.

“Perceptimi është gjë tjetër, kurse fakti është gjë tjetër. Në atë raport nuk kishte fakte. Ishte diçka jashtëzakonisht joprofesionale”, tha një burim nga Autoriteti i Konkurrencës për Abcnews.al.

Përballë një raporti të tillë, i përgatitur me qëllim ose nga paaftësia në një nivel mediokër duke mbrojtur kompanitë, Komisioni i Konkurrencës vendosi që të thellojë edhe më tej hetimin për pesë subjektet.