Çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve kthehen në vlera normale

schedule07:18 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 07:18 - 8 Dhjetor, 2021

Çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve i janë kthyer normalitetit.

Sipas vrojtimit të Monitor në agjencitë e shitjes, policat e sigurimit për një automjet me fuqi motorike rreth 2000 cc dhe me vjetërsi më të madhe se 10 vjet shiten aktualisht me vlerën 16500 lekë, në ato vlera që qëndronin para muajit nëntor.

Muajin e kaluar, tregu i këtij produkti u përfshi nga një valë e uljes së çmimeve, që ranë deri në nivelet e 13-14 mijë lekëve, në varësi të fuqisë motorike të mjetit. Në raport me çmimin zyrtar të shkruar në policën e sigurimit, uljet e çmimeve arritën deri në gati 30%. Ulja e çmimeve të policave të sigurimit zakonisht bëhet duke manovruar me komisionet e shitjeve që iu jepen agjentëve. Sa më i lartë komisioni, aq më shumë ka hapësirë agjenti për ta shitur policën e sigurimit me çmim më të ulët se ai që përcaktohet në policë. Nëse diferenca mes primit zyrtar dhe çmimit të shitjes arrin në pothuajse 30%, atëherë komisioni duhet të jetë ndjeshëm më i lartë, sepse agjenti duhet të sigurojë edhe një fitim të vetin nga shitja e policës. Sipas burimeve nga tregu, niveli i komisioneve gjatë muajit nëntor arriti deri në 45% të primit të shkruar bruto.

Drejtuesit e kompanive nuk pranuan të komentojnë publikisht arsyet e uljes së çmimeve, megjithatë ulja e ndjeshme e çmimeve gjatë nëntorit mund të lidhet me përpjekjen e kompanive të veçanta për të fituar pjesë tregu në këtë produkt, duke rritur komisionet e agjentëve dhe duke ndikuar rrjedhimisht në uljen e çmimeve. Një arsye që solli lëkundjen e tregut vlerësohet të ketë qenë edhe vendimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të aplikuar një nivel tavan mbi komisionet e shitjes për këtë produkt, në mbështetje të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”

Në fund të muajit tetor, AMF miratoi rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”, që parashikon se prej 1 janarit 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë komisione ndërmjetësimi më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto. Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve synon të rrisë eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës. Nivelet e propozuara të komisioneve maksimale janë ndjeshëm më të ulët se ato ekzistuese. Mbështetur në të dhënat e Raportit të Mbikëqyrjes së AMF-së, për vitin e kaluar raporti i shpenzimeve të marrjes në sigurim për produktin MTPL (sigurimi i detyrueshëm i mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta) ishte mesatarisht 35.2% në nivel tregu. Në pjesën dërrmuese, këto shpenzime janë komisione që shkojnë për agjentët.

Sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është me diferencë të madhe produkti kryesor në tregun shqiptar të sigurimeve. Në fund të 10-mujorit 2021, primet e shkruara bruto nga ky produkt përbënin 56% të tregut të sigurimit të jo-jetës, për një vlerë totale prej rreth 8.1 miliardë lekësh. /Monitor