Të ardhurat buxhetore kanë vijuar ecurinë pozitive edhe në muajin shtator, duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës, të udhëhequra nga TVSH dhe akciza, të cilat u ndihmuan dhe nga shtrenjtimi i produkteve të importit. Vetëm tatimi mbi fitimin nuk ka kapur ende nivelet e parakrizës dhe ai i të ardhurave personale, por ky i fundit në 2019-n shënoi një rritje të pazakontë për shkak të uljes së dividendit me efekt prapaveprues. Pozitive ishte dhe mbledhja e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e ndikuar nga përmirësimi i treguesve të punësimit dhe rritjes së pagës minimale e maksimale nga 1 janari i këtij viti.
Sipas të dhënave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, për 9 mujorin, buxheti arkëtoi gjithsej 367.1 miliardë lekë, me një rritje prej 19.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në raport me vitin normal 2019, të hyrat buxhetore ishin 6.8% më të larta.
Në krahasim me vitin 2020, buxheti ka arkëtuar për periudhën janar-shtator 59 miliardë lekë (482 milionë euro) më shumë, ndërsa në raport me 2019-n janë 23.3 miliardë lekë (190 milionë euro) më shumë.
Ecurinë më pozitive e ka shënuar tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), që është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet. Nga TVSH u mblodhën 111 miliardë lekë, me rritje 19.8% me 2020-n dhe 10.5% me 2019-n. rritja e fortë e importeve për 9 mujorin e shoqëruar me faktin që shumë produkte janë blerë jashtë me çmime më të larta ka ndikuar në këtë ecuri.
Nga akciza u mblodhën 37.9 miliardë lekë, me rritje përkatësisht 18 dhe 8.6% me 2020-n dhe 2019-n. edhe ky zë është ndikuar pozitivisht nga importet e larta dhe çmimet e shtrenjtuara.
Tatim fitimi, një tregues direkt i ecurisë së fitimeve të kompanive arriti në 24.8 miliardë lekë, duke u rritur me 24.3% në krahasim me 2020-n, kur pagesa e kësteve për shumë kompani u shty për shkak të situatës së krijuar nga kriza pandemike. Pavarësisht rritjes, të ardhurat nga tatim fitimi mbeten 8.7% më pak se 2019-a, në një tregues që rimëkëmbja e fitimeve është më e ngadaltë.
Tatimi mbi të ardhurat personale ishte 17.1% më i lartë se në 2020-n, por mbetet gati 20% më i ulët se në 9 mujorin 2019, kur bizneset e mëdha nxituan që të shpërndanin dividendin e prapambetur për të përfituar nga ulja e normës nga 15 në 8%.
Me ecuri mjaft të mirë ishin sigurimet shoqërore që u rritën përkatësisht me 14.7 dhe 12.4%, pas rimëkëmbjes së tregut të punës, por edhe rritjes së pagës minimale e minimale këtë vit.
Performancë pozitive shënuan dhe të ardhurat e pushtetit lokal, si nga taksa e pasurisë ashtu dhe ato lokale, këto të fundit të nxitura edhe nga vrulli që po vijon i ndërtimeve, përmes së cilës bashkitë arkëtojnë taksën e ndikimit në infrastrukturës, që për disa bashki, si ajo e Tiranës sjell rreth 40% të totalit të të ardhurave. /Monitor