“Çmimet e konsumit nuk janë stabilizuar ende”, ekspertja: Ndikimi nga konfliktet globale? Duhet të ndërtojmë plane rezervë

schedule14:39 - 9 Tetor, 2024

schedule 14:39 - 9 Tetor, 2024

Në shtator, rritja e çmimeve ra në nivelin më të ulët që prej qershorit 2021. Sipas INSTAT, ritmi i rritjes së çmimeve u ngadalësua muajin e kaluar, duke kapur nivelin e 1.9 përqind nga 2 që ishte në gusht.

Ekspertja për ekonominë, Eriola Hoxha, në një intervistë për emisionin “Money Report”, u shpreh se inflacioni në vendin tonë është në nivelin e vendosur nga Banka Qendore Evropiane. Ajo shtoi se çmimet e produkteve të konsumit, që zënë edhe peshën më të madhe të buxheteve familjare, ende nuk janë stabilizuar.

“Sa i takon çmimeve të produkteve të shportës por edhe peshës më te madhe që zënë buxhetet familjare, do të thoja se çmimet ende nuk janë stabilizuar. Çmimet njihen me të njëjtin çmim në mos më të larta se para krizave ekonomike, apo luftës së fundit Ukrainë-Rusi, me faktor gjeopolitik që pati edhe impaktin më të madh në ekonominë e vendit tonë sepse kemi shkëmbime të rëndësishme tregtare me Ukrainën.”, tha Hoxha.

Duke u ndalur te raporti i Lloyd of London, i cili thotë se fatura e konflikteve gjeopolitike mund t’i kushtojë ekonomisë botërore 14.5 trilionë dollarë përgjatë pesë viteve, ekspertja shtoi:

Krizat politike janë kthyer në një kërcëm serioz për ekonomitë globale, fakti që 14.5 trilionë dollarë në 5 vite do të thotë se ka një impakt të rëndësishëm në ekonomitë jo vetëm të vendeve në konflikte por edhe të tjera që kanë shkëmbime tregtare. Janë derivat i njëra-tjetrës dhe s’do t’i konsideroja vetëm ndikime politike apo ekonomike të luftërave. Kanë impaktim të drejtpërdrejtë në mbarë ekonomitë globale. Që t’i parandalojmë këto ndikime dhe shpenzime të larta të luftërave, duhet të ndryshojmë modelet ekonomike dhe të parashikojmë dhe të kemi një plan rezervë A dhe B në rastin e këtyre konflikteve. Flas edhe për Shqipërinë. Nuk duhet të kemi gati një plan ekonomik për rimëkëmbjen kur ndodh kriza. Faktet duhet të jenë në tryezë që të jenë gati për t’i parandaluar.”

Sipas saj, është i nevojshëm hartimi i një plani buxhetor afatmesëm dhe afatgjatë që synon të mbrojë qytetarët në rastin e krizave.

“Si vend importues, Shqipëria ka pasur probleme dhe për shkak të krizave ekonomike në vendin tonë nuk kemi pasur një plan ekonomik si në pandemi, tërmeti apo luftërave më gjerë. Modelet ekonomike për vendin tonë janë hartimi i një plani buxhetor afatmesëm dhe afatgjatë që qytetarët të mos impaktohen nga asnjë lloj krize.“, u shpreh ekspertja./abcnews.al