Çlirimi nga Ukraina i territorit të pushtuar nga Rusia, mund ta rrëzojë Vladimir Putinin

schedule10:51 - 13 Shtator, 2022

schedule 10:51 - 13 Shtator, 2022

Nga Anne Applebaum “The Atlantic

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Gjatë 6 ditëve të fundit, forcat e armatosura të Ukrainës kanë depërtuar në thellësi të linjave të trupave ruse në cepin verilindor të vendit, kanë përparuar ndjeshëm drejt lindjes dhe kanë çliruar dhjetëra qytete dhe fshatra që deri një javë më parë ishin nën pushtimin e rusëve.

Në fillim Balakliya, Kupyansk dhe pastaj Izium, një qytet që ndodhet në rrugët kryesore të furnizimit të ushtrisë ruse. Këta emra nuk kanë ndonjë domethënie për një audiencë të huaj. Por janë vende që kanë qenë për muaj të tërë jashtë kontrollit të autoriteteve ukrainase.

Tani ato janë të çliruara nga pushtuesi. Ndërsa po shkruaj këtë artikull, raportohet se forcat ukrainase po luftojnë në periferi të Donetsk, një qytet të cilin Rusia e ka pushtuar që nga viti 2014. Shumë gjëra në lidhje me këtë përparim janë befasuese, sidomos vendndodhja.

Për shumë javë, ukrainasit kanë folur vazhdimisht dhe publikisht mbi synimin e tyre për të nisur një kundërsulm të madh në jug të vendit. Ajo që ka habitur opinionin publik nuk janë taktikat e Ukrainës, por kundërpërgjigja e Rusisë.

“Ajo që na befason vërtet, është se trupat ruse nuk po reagojnë”- më tha në Kiev përmes telefonit, gjeneral-lejtnant Yevhen Moisiuk, zëvendëskomandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës. Pra trupat ruse nuk po luftojnë. Madje ka më shumë se kaq: Duke pasur zgjedhjen për të luftuar apo dezertuar, shumë prej tyre duket se po largohen sa më shpejt që të munden nga fronti.

Prej disa ditësh, ushtarë ukrainas kanë postuar foto të mjeteve dhe pajisjeve ushtarake ruse të braktisura me nxitim, si dhe video që tregojnë rreshta të tëra makinash, që supozohet se i përkasin bashkëpunëtorëve, që janë duke u larguar me nxitim nga territoret e pushtuara.

Një raport i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, thotë se ushtarët rusë kanë zhveshur uniformat e tyre, dhe po veshin rroba civile dhe po përpiqeshin të kthehen fshehurazi në territorin rus. Shërbimi ukrainas i sigurisë ka ngritur një linjë telefonike të veçantë,

ku ushtarët rusë mund të telefonojnë nëse duan të dorëzohen, teksa ka postuar në internet regjistrime të disa prej këtyre telefonatave. Dallimi thelbësor midis ushtarëve ukrainas, të cilët luftojnë për ekzistencën e vendit të tyre, dhe ushtarëve rusë, të cilët luftojnë për pagën e tyre, ka filluar më në fund të ketë rëndësinë e tij.

Sigurisht ky ndryshim mund të mos mjaftojë. Ushtarët ukrainas mund të jenë më të motivuar, por rusët kanë ende depo shumë më të mëdha armësh dhe municionesh. Ata mund të shkaktojnë ende shkatërrime dhe t’ua vështirësojnë jetën civilëve, siç bënë edhe me sulmin e fundit ndaj rrjetit elektrik në Kharkiv dhe gjetkë në Ukrainën Lindore.

Shumë opsione të tjera mizore janë ende të hapura edhe për një Rusi, ushtarët e së cilës nuk do të luftojnë. Centrali bërthamor në Zaporizhzhia mbetet brenda zonës së betejës. Propagandistët rusë kanë folur që nga fillimi i luftës për armët bërthamore. Edhe pse trupat ruse nuk po luftojnë në veri, ato po i rezistojnë ende ofensivës ukrainase në jug.

Por edhe pse luftimet mund të kenë ende shumë pika kthese, ngjarjet e ditëve të fundit duhet t’i detyrojnë aleatët e Ukrainës të ndalen dhe të reflektojnë. Pasi është krijuar një realitet i ri: Ukrainasit mund ta fitojnë këtë luftë. A jemi vërtet ne në Perëndim të përgatitur për një fitore të Ukrainës?

A e dimë se çfarë ndryshimesh të tjera mund të sjellë kjo? Në muajin mars, unë shkrova dhe ishte koha për të imagjinuar mundësinë e fitores, dhe e përkufizova atë në terma shumë të kufizuar: “Kjo do të thotë që Ukraina të mbetet një demokraci sovrane, me të drejtën për të zgjedhur udhëheqësit e saj dhe për të vepruar sipas ligjeve të veta”.

Gjashtë muaj më vonë, kërkohen disa rregullime në atë përkufizim bazik. Dje në Kiev, dëgjova Ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov të deklaronte se tani fitorja duhet të përfshijë jo vetëm rkthimin tek kufijtë e Ukrainës siç ishin në vitin 1991 – përfshirë Krimenë, si dhe Donbasin në Ukrainën Lindore – por edhe dëmshpërblime nga Rusia për krimet e luftës.

Dhe këto kërkesa nuk janë në asnjë kuptim ekstreme. Tek e fundit, kjo luftë nuk ka pasur kurrë si synim territore. Përkundrazi është një fushatë e nxitur nga një qëllim gjenocist. Forcat ruse në territoret e pushtuara kanë torturuar dhe vrarë civilë, kanë arrestuar dhe deportuar më dhunë qindra mijëra njerëz, kanë shkatërruar teatro, muze, shkolla, spitale. Bombardimet me raketa ndaj qyteteve ukrainase larg vijës së frontit, kanë vrarë shumë civilë dhe i kanë kushtuar Ukrainës miliarda dollarë dëme në infrastrukturë. Rimarrja e territorit të pushtuar nuk do t’i kompensojë në vetvete ukrainasit për këtë pushtim me pasoja katastrofike.

Por edhe nëse justifikohet, përkufizimi ukrainas mbi fitoren, mbetet shumë ambicioz. Për ta thënë troç: Është e vështirë të imagjinohet se si Rusia mund të përmbushë ndonjë nga këto kërkesa – territoriale, financiare, ligjore – për sa kohë që mbetet në pushtet presidenti i saj aktual.

Mos harroni: Vladimir Putin e ka vendosur shkatërrimin e Ukrainës në qendër të politikave të tij të jashtme dhe të brendshme, si dhe në qendër të asaj që ai dëshiron të jetë trashëgimia e tij. Dy ditë pas nisjes së pushtimit të dështuar të Kievit, agjencia shtetërore ruse e lajmeve publikoi aksidentalisht dhe më pas tërhoqi, një artikull që shpallte para kohe suksesin. “Rusia po rivendos unitetin e saj. Shpërbërja e BRSS, kjo katastrofë e tmerrshme në historinë tonë është tejkaluar. Një epokë e re ka filluar”- deklaroi Putin. Por ky mision tashmë ka dështuar. Nuk do të ketë një “epokë të re”. Nuk do të ringjallet Bashkimi Sovjetik. Dhe kur elitat ruse ta kuptojnë më në fund se projekti perandorak i Putinit nuk ishte vetëm një dështim i tij personal, por edhe një katastrofë morale, politike dhe ekonomike për të gjithë vendin, përfshirë edhe veten e tyre, atëherë do të bjerë edhe pretendimi i tij për të qenë sundimtari legjitim i Rusisë.

Kur them se amerikanët dhe evropianët duhet të përgatiten për një fitore të Ukrainës, kam bindjen se duhet të presim që një fitore e Ukrainës, dhe sigurisht një fitore në kuptimin që ka Kievi për të, do të sjellë gjithashtu edhe fundin e regjimit të Putinit. Për të qenë të qartë: Ky nuk është një parashikim; është një paralajmërim.

Shumë gjëra në sistemin aktual politik rus janë të çuditshme. Dhe një aspektet nga më të çuditshmet është mungesa totale e një mekanizmi për trashëgiminë e pushtetit. Ne jo vetëm që nuk e kemi idenë se kush do ta zëvendësonte apo mund ta zëvendësojë Putinin; por as se kush do të mund ta zgjidhte atë person.

Në Bashkimin Sovjetik ekzistonte një Byro Politike, pra një grup njerëzish që teorikisht mund të merrte herë pas here një vendim të tillë. Ndërkohë sot në Rusi nuk ekziston asnjë mekanizëm tranzicioni. Putini ka refuzuar që t’i lejojë rusët të mendojnë për një alternativë ndaj markës së tij të fëlliqur dhe të korruptuar të pushtetit kleptokratik.

Gjithsesi, e përsëris: Përgatitja për largimin e Putinit nga pushteti, nuk do të thotë që amerikanët, evropianët, apo ndonjë i huaj tjetër të ndërhyjnë drejtpërdrejt në politikën e Moskës. Ne nuk kemi asnjë mjet, me të cilin mund të ndikojmë në rrjedhën e ngjarjeve në Kremlin.

Ndaj çdo përpjekje për të ndërhyrë në këto kushte do të dështonte. Por kjo nuk do të thotë që duhet ta ndihmojmë atë të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Ndërsa krerët e shteteve perëndimorë, ministrat e jashtëm dhe gjeneralët, po mendojnë se si t’i japin fund kësaj lufte, ata nuk duhet të përpiqen të ruajnë pikëpamjen e Putinit për veten ose për botën, apo përkufizimin e tij të prapambetur mbi madhështinë e Rusisë.

Ata nuk duhet të planifikojnë fare që të negociojnë mbi kushtet e tij, pasi në fund të kësaj lufte mund të kenë përballë një udhëheqës tjetër. Edhe sikur të jenë kalimtare, ngjarjet e ditëve të fundit, e ndryshojnë natyrën e kësaj lufte. Që nga fillimi, të gjithë – evropianët, amerikanët, dhe sidomos komuniteti global i biznesit – kanë kërkuar një rikthim tek stabiliteti. Por rruga drejt stabilitetit në Ukrainë, dhe stabilitetit afatgjatë, ka qenë e vështirë të shihej deri dje. Tek e fundit, çdo armëpushim i arritur shumë herët mund të trajtohet nga Moska, si një mundësi për t’u riarmatosur.

Po ashtu çdo ofertë për të negociuar mund të lexohet nga rusët si një shenjë dobësie. Por tani është koha të pyetet mbi për stabilitetin e vetë Rusisë, dhe ta përfshijmë atë në planet tona. Ushtarët rusë po braktisin luftimet, po zhveshin uniformat e tyre dhe po synojnë të dorëzohen.

Edhe sa kohë duhet të presim derisa njerëzit në rrethin e brendshëm të Putinit të bëjnë të njëjtën gjë? Mundësia e një destabiliteti në Rusi, një fuqi bërthamore, është e frikshme. Por tani mund të jetë e pashmangshme. Dhe nëse kjo është ajo që është duke ardhur, ne duhet ta parashikojmë, të mendojmë si për mundësitë ashtu dhe për rreziqet. “Ne kemi mësuar të mos kemi frikë. Tani ju kërkojmë të tjerëve që të mos kenë frikë”- deklaroi Reznikov të shtunën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!