Ish-sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata ka deklaruar në emisionin “Log” në ABC se Lulzim Basha ka bërë një gabim të madh në politikë duke marrë përsipër përjashtimin e Berishës pa e çuar për votim.
“Ka pasur një votim të hapur në këshillin kombëtar ku unë kam marrë pjesë. Kjo që po ndodh është histori politike. Basha bëri një gabim të madh në politikë që në vend të ta çonte në votim e mori vetë përsipër duke krijuar një zallamahi. Pastaj fillo përjashto këtë, përjashto atë. Berisha po bën foltore. Basha ulet e bën marrëveshje me Ramën”, u shpreh Gjata.
Ai tha se Foltorja po ringre opozitarizmin ndërsa ngriti akuza ndaj palës tjetër se po bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama.
“U tha se nuk do lejojnë një kuvend anti amerikan. Pastaj thanë që firmat nuk janë të verifikuara. Nuk mund të thuash që nuk janë firmat pa i verifikuar. Nuk kanë pse të mos jenë. Është ajo trupë delegatesh. Ai bëri një lëvizje teknike duke thirrur një kuvend që nuk ka asnjë vlerë. Kjo që po ndodh në PD me foltoren po ringre opozitarizmin. Opozitë nuk bëhet duke bashkëpunuar me Edi Ramën që të ka vjedhur zgjedhjet”, tha Gjata.
Nga ana tjetër analisti Mentor Nazarko deklaroi se kjo situatë i leverdis më shumë Ramës, pasi në mes të krizës dhe protestave të fermerëve vëmendjen po e marrin zhvillimet në PD. “Në mes të krizës, vëmendjen po e marrin zhvillimet në PD”, deklaroi Nazarko.
Ai tha se ka gjasa që Meta në zbresë në terrenin e lojës në krah të Berishës ndërkohë që për postin e presidentin dha tre opsione. “Meta mund të zbresë në terrenin e lojës dhe ta fuqizojë LSI në krah të Berishës. Vendi i presidentit mund t’i ofrohet një personi ose mbi palët, ose afër palëve, ose afër PD-së”, u shpreh Nazarko. /Abcnews.al