Presidenti amerikan Donald Trump reagoi për herë të parë pas publikimit të një pjese shumë të vogël të dosjeve të Jeffrey Epstein.
Në materialet që u bënë publike kishte foto të personazheve të njohur, mes tyre edhe ish presidenti Bill Clinton, por vetë Trump nuk dukej gjëkundi, edhe pse lidhjet e tij me Epstein janë të njohura.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i doli në mbrojtje ish presidentit demokrat duke thënë se ka shkuar gjithmonë mirë me të., e madje shtoi se e respekton.
Trump tha se nuk i pëlqen fakti që fotot e shumë njerëzve të njohur po shfaqen, por tha se Clinton është i rritur dhe mund ta përballojë. Por sipas presidentit, ka njerëz të tjerë që e kanë takuar Epstein pa e ditur për krimet e tij dhe tashmë po dalin edhe fotot e tyre.
Reagimi i Trump erdhi pasi Bill Clinton në një deklaratë kërkoi publikimin e plotë të dosjeve. Demokrati sfidoi Departamentin e Drejtësisë që të nxjerrë çdo foto apo çdo rast që atij i përmendet emri. Clinton dënoi faktin se dosjet nuk u publikuan të plota dhe me redaktime të shumta dhe ngriti dyshime se në këtë mënyrë emri i dikujt po mbrohet.
Publikimi i pjesshëm i dosjeve të Epstein solli reagim të ashpër nga demokratët dhe viktimat e abuzimit, të cilët akuzojnë administratën republikane se po përpiqet të fshehë informacionin.
Shumë nga fotot më të diskutuara nga dosjet tregojnë ish-presidentin demokrat Clinton, i cili e ka pranuar se ka udhëtuar me avionin privat të Epstein, por ka thënë se nuk ishte në dijeni për krimet e tij.
Nga ana tjetër Trump, i cili ishte mik për vite me radhë me Epstein ndërroi disa herë qëndrim, duke thënë fillimisht se dosjet nuk ekzistonin dhe më pas se ato ishin një mashtrim demokrat.
Presidenti aktual shfaqet krah Epstein në foto të publikuara më herët dhe emri i tij përmendet në mijëra emaile që dolën në dritë para publikimit të dosjeve, ku madje aludohet se Trump e dinte për vajzat, pra viktimat e trafikimit të ish financierit që ndërroi jetë në burg në vitin 2019 në pritje të gjyqit.

