Tmerrin e parë e kaloi, por menjëherë vjen një tjetër. Mançester Siti do të vazhdojë të vuajë në Champions, ndërsa deri në orën 18:00 të kësaj të premteje, pritja do të jetë e ankthshme.
Kampionia e Anglisë është e sigurt se do të luajë ndaj një gjigandi të Europës në plej of, dhe kundërshtarët e mundshëm janë vetëm dy, Reali I Madridit dhe Bajerni I Mynihut.
Më keq se kaq nuk mund të shkonte, ndonëse gremina do të kishte qenë eliminimi. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola ia doli të kalonte në plej of pasi mundi 3-1 me përmbysje Klub Bryzhin nga Belgjika, madje nuk e pati aspak të lehtë.
Bryzh shënoi I pari, dhe anglezët ishin jashtë deri në minutën e 62-të kur Ordonjez shkaktoi autogol. Golat e tjerë erdhën nga Kovaçiç dhe Savinjo. Guardiola pyetet nëse po mendon për shortin.
“Në këtë moment, nuk e mendoj. Gjithsesi, këto janë pengesat që duhet të kalosh. Unë gjithmonë kam objektiv të fitoj Championsin. Ajo që kemi bërë është histori, ndërsa tani unë jam pragmatist dhe realist. Reali dhe Bajerni kanë më shumë përvojë dhe më shumë histori se ne.
Madridi ndoshta vuajti disi, por në ndeshjet e fundit u kthye në formën e duhur. Bajerni është gjithashtu një skuadër e madhe. Nëse do të luanim që nesër, do të ishte e vështirë, por pas dy javësh ku i dihet. Nuk e di në çfarë momenti do të jemi, si do të jenë lojtarët. Futbollistët ndoshta do të tremben nga Reali apo Bajerni, por ne duhet të përgatitemi, të jemi në formë dhe të shohim çdo të ndodhë”.
Mançester Siti ka luajtur 12 herë ndaj Realit, me dy kualifikime dhe tre eliminime, ndërsa me Bajernin ka 8 përballje, por vetëm një duel kualifikues të fituar nga anglezët. Ndeshjet e para të plej ofit do të luhen në 11 e 12 shkurt dhe ato të kthimit në 18 e 19 shkurt./abcnews.al