Cili është plani i Erdogan për Qipron Veriore?

schedule08:51 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 08:51 - 12 Dhjetor, 2022

Nga Ahmet Yılmaz “Turkish Minute

“Hap pas hapi. Edhe kjo do të ndodhë …”- deklaroi Ministri i Jashtëm i Tuqisë Mevlüt Çavuşoğlu në një postim në Twitter më 11 nëntor, duke shpallur statusin e vëzhguesit të Republikës Turke të Qipros Veriore (KKTC) në Organizatën e Shteteve Turke. Por çfarë do të ndodhë më tej? Çfarë po planifikon qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për KKTC?

Përpara se të përpiqeni t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve, mund të jetë i dobishëm një historik i shkurtër. Veriu i ishullit (që përbën 1/3 e territorit të Republikës së Qipros) u pushtua nga forcat turke në verën e vitit 1974, pasi puçistët grekë donin aneksimin e Qipros nga Greqia.

Në veriun e pushtuar nga turqit, KKTC – që njihet vetëm nga Turqia – u shpall në nëntorin e vitit 1983 dhe sot përbën një regjim të stabilizuar. Greqia e ndan statusin e shtetit garantues me Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar edhe pse anon me pjesën jugore greke qipriote të ishullit – Republikën e Qipros (ose Qipro) – e cila njihet zyrtarisht nga komuniteti ndërkombëtar si përfaqësuesi i vetëm i të gjithë ishullit.

Statusi i garantit ishte diçka nga e cila veriu nuk donte të hiqte dorë për shkak të frikës ndaj asaj ndodhi 50 vjet më parë. Ndërkohë ka pasur edhe mosmarrëveshje të tjera që e kanë penguar ribashkimin e dy pjesëve të ishullit. Britania e Madhe ka 2 baza ushtarake në pjesën jugore të ishullit, strategjikisht shumë të rëndësishme për Londrën për shkak të afërsisë së ishullit me Lindjen e Mesme, raporton abcnews.al.

Qiproja u bë anëtare e BE-së në vitin 2004, por Britania e Madhe u largua nga unioni në vitin 2020. Që nga ajo kohë, Franca është bërë më e interesuar për problemet që përfshijnë Qipron. Gjithsesi Britania e Madhe nënshkroi kohët e fundit një memorandum mirëkuptimi me Qipron në lidhje me krijimin e një partneriteti strategjik.

Qiproja ka pasur marrëdhënie relativisht të mira me Rusinë deri në vitin 2004. Shtetet e Bashkuara vendosën një embargo armësh në vitin 1987, me shpresën se kjo do të inkurajonte ribashkimin e ishullit. Por embargoja ishte kundër-produktive, pasi e shtyu qeverinë qipriote të krijonte aleanca me vendet e tjera, pa bërë asnjë përparim drejt ribashkimit.

Qipro iu drejtua Rusisë për të blerë armë. Por pas anëtarësimit në BE, marrëdhëniet me Rusinë nisën të përkeqësohen. Lëvizjet agresive të Rusisë në rajonin post-sovjetik tensionuan jo vetëm marrëdhëniet e saj me BE-në, por edhe marrëdhëniet dypalëshe me Qipron, anëtare e re e BE-së.

Boshllëku i partneritetit strategjik u mbush nga SHBA-ja. Në vitin 2019, SHBA nënshkruan një marrëveshje me Qipron për të hequr disa kufizime tregtare, me kushtin e kryerjes së reformave në rregulloret kundër pastrimit të parave dhe mbikëqyrjen rregullatore financiare, si dhe mohimin e qasjes në portet e saj të anijeve ushtarake ruse për furnizim dhe mirëmbajtje, raporton abcnews.al.

Ndërkaq më 16 shtator të këtij viti, SHBA-ja njoftoi se duke filluar nga viti 2023, do të hiqte embargon e armëve të vitit 1987. Por Uashingtoni e ndërmori këtë veprim kundër KKTC-së dhe Turqisë, duke nxitur reagimin e ashpër të Ministrisë së Jashtme.

Nga ana tjetër, që nga shpallja e pavarësisë së saj në 983 KKTC njihet vetëm nga Turqia. Edhe pse Pakistani dhe Bangladeshi e njohën për pak kohë, por më pas u tërhoqën si rezultat i presionit ndërkombëtar. Po çfarë po planifikon Erdogan për KKTC? Në postimin 11 nëntorit në Twitter, Çavuşoglu me siguri po nënkuptonte njohjen e pjesës veriore të ishullit si një shtet sovran nga vende të tjera përveç Turqisë.

Presidenti Erdogan foli për këtë çështje në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 20 shtator. Pasi kritikoi ashpër Greqinë në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të njohë zyrtarisht KKTC-në. Qeveria aktuale e KKTC-së gëzon mbështetje të madhe nga Erdogani, dhe nuk është dakord për ribashkimin e dy komuniteteve, përkundrazi mbështet një “zgjidhje me dy shtete”, diçka që e përkrah edhe Erdoganin.

Erdogan u duk si një udhëheqës pro-perëndimor kur u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 2002. Por pas 10 vitesh, ai nisi të kthehej gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit.

Në të kaluarën ai ishte në favor të ribashkimit, por tani ai mbështet atë që e promovoi establishmenti ushtarak, dhe që ishte fuqia politike kryesore para ngjitjes së tij në pushtet: “zgjidhjen me dy shtete”, një vizion shumëvjeçare por i pasuksesshëm. Tani qeveria turke po bën përpjekje të mëdha që KKTC të njihet ndërkombëtarisht. Erdogan e nisi procesin duke urdhëruar ndërtimin e një pallati luksoz për presidentin e KKTC-së, ashtu siç bëri për veten e tij në Turqi.

Po ashtu u realizua një serial televiziv për të nxitur ndjenjat nacionaliste kundër grekëve qipriotë. Ai u transmetua në televizionin shtetëror TRT-1. Më 31 tetor Erdogan emëroi Metin Feyzioğlu si ambasador të Turqisë në KKTC në Lefkoşa (Nikozia). Ai nuk është diplomat, por një avokat që ka shërbyer si president i Dhomës së Avokatëve të Turqisë gjatë viteve 2013-2021, raporton abcnews.al.

Në vitin 2020, Dhoma e Avokatëve të Turqisë nën drejtimin e Feyzioğlu organizoi takime në qytetin e rrethuar të Maraşit (Varosha për qipriotët). Maraş, një destinacion i famshëm pushimesh para vitit 1974, është afër qytetit Gazimağusa të KKTC (Famagusta), një territor de jure i Qipros, por aktualisht nën kontrollin e KKTC.

Së bashku me Ersin Tatar, kryeministrin e atëhershëm dhe presidentin aktual të KKTC-së, Feyzioğlu ishte pionier i rihapjes së çështjes së Maraş. Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dënoi këto veprime, të cilat janë në kundërshtim me dy rezolutat e tij të 1984 dhe 1992.

Ndërkohë, Erdogan po përpiqet të fitojë mbështetjen e Britanisë së Madhe, anëtare e OKB-së, për njohjen e KKTC-së. Gjatë një bisede telefonike të datës 2 dhjetor me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe, Erdogan thuhet se vuri në dukje rëndësinë e ndërmarrjes së hapave të rinj konkretë për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Por këto lëvizje nuk duket se kanë qenë të suksesshme, ose të paktën tani për tani.

Ndoshta disa vende që kanë marrëdhënie të ngushta me Turqinë, si për shembull, Azerbajxhani apo Libia, mund të jenë kandidatë të mundshëm për njohje, por nuk mendoj se kjo do t’i sillte KKTC-së asgjë më shumë se sa një rëndësi simbolike. Pasi SHBA njoftoi në shtator heqjen e embargos 35-vjeçare të armëve ndaj Qipros, Erdopgan deklaroi në një intervistë për CNN turk se ky akt ishte “i pashpjegueshëm sa i përket përmbajtjes dhe kohës … dhe inkurajon hapat e dyshes Qipros greke dhe Greqisë që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Mesdheun lindor”

Ai premtoi shtimin e pranisë ushtarake turke në pjesën veriore të ishullit. Por cilat mund të jenë pasojat e lëvizjeve të Erdogan? Është e vështirë të thuhet me siguri nëse deklaratat e Erdoganit janë të sinqerta apo thjesht fjalë. Shumë analistë thonë se Erdogan po përpiqet të marrë më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme nëpërmjet një retorike agresive, dhe se për këtë arsye nuk do të bëjë asgjë joracionale.

Por senatori amerikan Bob Menendez, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i merr seriozisht fjalët e presidentit turk. Ai mendon se duhet të ndalet “vullneti i vazhdueshëm i Erdoganit për të treguar muskujt e tij autoritarë në Qipro dhe në mbarë botën”. Po ashtu, ai mendon se Turqia dëshiron të aneksojë KKTC.

Menendez nuk po thotë asgjë të re, duke pasur parasysh faktin se që kur Erdogan nisi të konsolidojë pushtetin e tij, Turqia e ka braktisur parimin e saj të politikës së jashtme pothuajse shekullore “paqe në shtëpi, paqe në botë. Ajo ka bashkëpunuar me organizatat terroriste, duke i përdorur ato në konflikte të ndryshme; filloi të ndërhynte në punët e brendshme të vendeve të tjera; i përmirësoi marrëdhëniet e saj me armiqtë tradicionalë Iranin, Kinën dhe Rusinë; dhe u largua nga vendet perëndimore dhe vlerat e tyre universale.

Përpjekjet e fundit të Turqisë për të përmirësuar marrëdhëniet e saj të dobëta me Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin dhe Arabinë Saudite janë parë si të lidhura me problemet ekonomike të Turqisë. Por takimi i fundit i Erdogan me homologun egjiptian Abdel Fattah el-Sisi në Katar gjatë ceremonisë së fillimit të Kupës së Botës, ishin lëvizje strategjike për ta izoluar sa më shumë Greqinë e jo thjesht ekonomikisht, pasi nuk ka kuptim që Turqia të përmirësojë lidhjet me Egjiptin, vend që ndodhet vetë në krizë ekonomike, raporton abcnews.al.

Rrjedhimisht, nëse të gjitha këto hapa do të ishin pjesë e një plani të qeverisë turke, dhe nëse lëvizja e radhës do të ishte ndërhyrja radikale në status quo-në e Qipros, kjo mund të çonte në një konfrontim të ri midis Greqisë dhe Turqisë si shtete garantuese. Dhe ky zhvillim do të rrezikonte jo vetëm sigurinë në Mesdhe dhe Egje, por mosmarrëveshja midis dy vendeve të NATO-s do të dëmtonte gjithashtu fokusin e Perëndimit në luftën Ukrainë-Rusi.

Shënim: Ahmet Yılmaz, ka një diplomë master në strategjitë ndërkombëtare të sigurisë. Për arsye sigurie, ai përdor pseudonim.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!