Cili do të jetë lojtari më i mirë i sezonit në NBA

schedule22:10 - 6 Prill, 2019

schedule 22:10 - 6 Prill, 2019

Një garë e fortë po zhvillohet për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit të rregullt, në basketbollin amerikan. Mes gjithë kampionëve të mëdhenj, shkëlqen një yll nga Lindja dhe një nga Perëndimi.

Duhen edhe dy apo tri ndeshje deri në fund. Basketbolli amerikan bëhet gati për plej ofin, por cili do të shpallet lojtari më i mirë i sezonit të rregullt?

Televizioni ESPN bën një analizë të garës mes Janis Antetokunmpos së Miluokit dhe Xhejms Hardenit të Hjustonit. Antetokunmpo ka mesataren prej 27.4 pikësh për ndeshje, ka 12.5 topa në tabela, dhe 5.9 pasime për kosh po për ndeshje.

Ylli afrikan i ardhur nga Greqia kujton lavdinë e dikurshme të Miluokit, Karim Abdyl Xhabar, që po ashtu e nxorri ekipin në vend të parë. Harden, ndërkaq, është shënuesi më i mirë i edicionit.

Ai ka mesataren 36.4 pikë për ndeshje, dhe koeficientin e efikasitetit në lojë 30.4. Kjo është më mirë se disa për gjigandëve si Shakil O’Nill, Tim Dankën, dhe thuajse e barabartë me atë të legjendës Majkëll Xhordan.

I paarritshëm në këtë renditje, legjenda tjetër Uilt Çembërlen, që në disa sezone ishte më lart, duke pasur kulmin në 1961-1962 me 50.4 pikë për ndeshje dhe efikasitetin 31.7. Vetëm tre lojtarë në histori kanë mesatare më të lartë pikësh se Hardeni këtë vit, dhe pikërisht Çembërleni që e ka bërë në disa raste, Elgin Bejlër dhe Majkëll Xhordan.

Natyrisht, jo gjithnjë koshat e shënuar kanë siguruar çmimin e lojtarit më të mirë, dhe Hardeni ka një minus në krahasim me Antetokunmpon.

Kjo, sepse Hjustoni doli vetëm në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore, i lënë pas nga Golden Stejti dhe Denveri. Më i fortë u tregua Miluoki i Antetokunmpos, që zuri vendin e parë jo vetëm në Konferencën Lindore, por duke qenë edhe skuadra numër 1 e sezonit të rregullt në NBA.

Basketbolli amerikan ka edhe yje të tjerë si Rasëll Uestbruk, Stefën Kërri, Kevin Durant apo Lebron Xhejms, por protagonistët e mëdhenj kanë qenë pikërisht Hardën e Antetokunmpo./abcnews.al