Cili do jetë pozicioni i Gjermanisë në Evropë pas largimit të Merkel?

schedule14:00 - 23 Korrik, 2021

schedule 14:00 - 23 Korrik, 2021

Nga Johannes Greubel & Sophie Pornschlegel “European Policy Center

Angela Merkel i ngjit në pushtet në vitin 2005, dhe u bë një nga kancelarët më jetëgjatë në historinë e Republikës Federale. Periudha e saj në krye të Gjermanisë u shoqërua nga kriza të shumta, duke filluar me krizën financiare globale (2007-2008); kriza pasuese e borxhit në vendet e BE-së (2012-2013); kriza evropiane e emigracionit (2015);  Brexit (2016-2020), që do të vazhdojë të jetë në axhendën e BE-së; dhe së fundmi kriza e Covid-19 në vitin 2020.

Udhëheqja e saj pragmatike dhe e qetë, ishte një aset i rëndësishëm për BE-në në kohë të trazuara. Ajo dha një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e këtyre krizave, falë aftësive të saj negociuese, pozitës ndërkombëtare dhe përvojës së gjatë si drejtuese e qeverisë.

Një gjë është e qartë:Largimi i Merkel, do të krijojë një vakum në udhëheqjen e Gjermanisë dhe Evropës, që do të jetë i vështirë të mbushet. Po ku duhet të fokusohet qeveria e ardhshme gjermane? Ne mendojmë se qeveria e ardhshme gjermane duhet të ndërmarrë pesë hapat e mëposhtëm.

  1. Ta bazojë mbi një axhendë strategjike politikën e Gjermanisë në BE

Qeveria e ardhshme duhet të zhvillojë atë që i mungonte qeverive të drejtuara nga Merkel: një vizion strategjik për Evropën. Ndërsa lidershipi i palodhur i Merkel, vlerësohet nga shumë njerëz në Evropë, ajo kritikohet gjithnjë e më shumë për mungesën e vizionit të saj për BE-në.

Merkel e ka përsosur taktikën e “pritjes së gjërave” dhe marrjen e vendimeve të minutës së fundit, sapo bëhej e dukshme nga anonte opinioni publik. Por kjo nuk mjafton. Ndërsa menaxhimi i krizës është një aftësi e rëndësishme, veprimet e Gjermanisë gjatë dekadës së krizës në Evropë nuk ishin të bazuara tek një strategji më e gjerë.

Duke pasur parasysh sfidat që ka përpara, qeveria e re nuk duhet të kufizohet në menaxhimin pragmatik të krizave. Ajo duhet ta përfshijë politikën e saj mbi BE-në në një agjendë strategjike që shkon përtej politikës së përditshme, dhe të rrisë ambicien e saj duke miratuar nisma që e nxisin integrimin evropian.

  1. Evropianizimi i politikës gjermane

Nën Angel Merkel, BE-ja mezi përfshihej në debatet publike të Gjermanisë. Nismat legjislative gjermane duhet të ndërlidhen më shumë me politikat e BE, sidomos për çështje si ndryshimi i klimës, dixhitalizimi dhe taksimi. Gjatë 16 viteve të fundit, Merkel dhe këshilltarët e saj më të ngushtë, ishin ata që merrnin zakonisht vendimet më të rëndësishme në lidhje me çështjet e BE-së.

Por kreu i ri i qeverisë, duhet t’i japë kancelarisë një rol kryesor koordinues. Miratimi i çështjeve evropiane si një sfond për të gjitha fushat e politikave, kërkon një nivel të lartë të koordinimit të brendshëm midis ministrive.

  1. Ndërtimi i përvojës së brendshme në BE

Asnjë nga kandidatët e dy partive kryesore – i Unionit Kristiandemokrat (CDU) Armin Laschet, dhe Annalena Baerbock e të Gjelbërve – nuk ka ndonjë përvojë madhore në nivelin e Këshillit (Evropian). Vetëm kandidati socialdemokrat, Olaf Scholz, ka një përvojë të gjerë ministrore. Por partia e tij renditet në sondazhe pas CDU-së dhe të Gjelbërve. Ndërsa  kandidati konservator dhe i Gjelbër janë evropianë të apasionuar, ata nuk janë shumë të aftë sesi të sillen me “makinerinë” burokratike të BE-së, dhe u mungojnë kontaktet e ngushta personale me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive.

Vendosja e marrëdhënieve të besueshme, dhe fitimi i përvojave në BE kërkon kohë. Qeveria e re duhet të mbështetet te nëpunësit e saj civilë dhe diplomatët në pozicionet kryesore për të rifilluar punën legjislative të Këshillit. Njohuritë e tyre rreth funksionimit të Brukselit dhe rrjeteve të tij, do të jenë thelbësore për qeverinë e re në kontekstin e pandemisë dhe rimëkëmbjes COVID-19, si dhe të reformimit të unionit.

  1. Të zhvillojnë aleanca me fqinjët

Parisi duhet të jetë gjithmonë stacioni i parë i Berlinit kur vendos kontakte me vendet e tjera anëtare të BE. Franca ka qenë dhe mbetet partneri i besuar i Gjermanisë në BE. Pasardhësi i Merkel nuk duhet të humbasë asnjë minutë kohë për të rinovuar lidhjen franko-gjermane, e cila ka qenë kaq e rëndësishme për integrimin evropian.

Por qeveria e re nuk duhet të neglizhojë kultivimin e marrëdhënieve të ngushta me qeveritë

e tjera të BE. Qeveria e re mund ta pozicionojë Gjermaninë si një forcë shtytëse në Konferencën për të Ardhmen e Evropës dhe ndjekjen e saj, duke u bashkuar me përpjekjet e presidentit francez Macron për ta drejtuar procesin drejt një rezultati ambicioz dhe konkret.

  1. Të menaxhojë pritshmëritë

Pritjet përkundrejt Gjermanisë ndryshojnë në varësi të shtetit anëtar. Ndërsa Holanda dhe vendet e tjera nordike, mbrojnë pozicione të ngjashme me Gjermaninë në lidhje me çështjet ekonomike, vendet e Evropës Jugore si Greqia, Italia ose Spanja, kundërshtojnë qasjen e “shtrëngimit fiskal”, që e ka dëmtuar më shumë ekonomitë e tyre.

Sa i përket ëështjes së migracionit, Gjermania dhe Suedia janë kundër shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ashtu si në të kaluarën, kancelari i ardhshëm dhe qeveria e e re gjermane do të duhet të menaxhojnë pritjet e ndryshme të fqinjëve. Ata duhet të bëjnë kompromise në nivelin e BE-së, duke mos harruar kurrë busullën politike që është vizioni i saj i qartë strategjik për Evropën.

Shënim: Johannes Greubel, analist i politikave në programin e Politikës dhe Institucioneve Evropiane në think-tankun “European Policy Center”. Sophie Pornschlegel, është analiste e politikave në “European Policy Center”./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!