Talebanët kanë drejtuar Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001 dhe vendosën një formë të rreptë të ligjit islamik në vend. Këto janë disa fakte kryesore në lidhje me historinë e grupit.
Si u formuan talebanët?
Talebanët ishin një nga fraksionet që luftuan në luftën civile në Afganistan në vitet 1990 pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik. Grupi u shfaq në vitin 1994, në jug të Afganistanit, në Kandahar. Themeluesi i tyre ishte Mullah Mohammad Omar, një imam lokal, i cili udhëhoqi militantët deri në vdekjen e tij në vitin 2013.
Cila është lidhja me SHBA?
Talebanët fillimisht tërhoqën anëtarët e tyre nga rezistenca afgane, që njiheshin ndryshe si muxhahedinë. Këta të fundit u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre kundër forcave sovjetike, në vitet 1980.
Si e fituan pushtetin talebanët?
Pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik nga Afganistani në 1989 dhe rënies së mëvonshme të qeverisë së Afganistanit, vendi u fut në luftë civile. Talebanët morën mbështetje duke pramtuar se do të rivendosnin rendin dhe drejtësinë. Në vitin 1994 me pak rezistencë ata morën kontrollin e qytetit të Kandaharit dhe deri në vitin 1996, ata arritën të merrnin kontrollin e kryeqytetit, Kabulit.
Çfarë besojnë talebanët?
Talibanet gjatë drejtimit të tyre zbatuan interpretimin e rreptë të ligjit islamik, Sheriatit. Ekzekutimet publike dhe goditjet me kamxhik ishin të zakonshme. Grave u ndalohej kryesisht të punonin ose studionin dhe detyroheshin të mbanin një burkë kur dilnin në publik. Talibanët ndaluan librat dhe filmat perëndimorë si dhe shkatërruan objekte kulturore, përfshirë statujën gjigante 1500-vjeçare të Budës, në luginën qendrore të Bamiyanit.
Cila është lidhja e tyre me al-Kaidën?
Talebanët siguruan strehë për grupin militant al-Kaida, të udhëhequr në atë kohë nga Osama bin Laden. Al-Kaida ngriti kampe trajnimi në Afganistan, të cilat i përdori për të përgatitur sulmet terroriste në të gjithë botën, përfshirë sulmet e 11 Shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara.
Si e humbën pushtetin?
Më pak se një muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pushtuan Afganistanin. Në fillim të dhjetorit, qeveria talebane kishte rënë dhe Shtetet e Bashkuara filluan të punonin me afganët për të krijuar një qeveri demokratike.
Çfarë ndodhi më pas?
Pas humbjes së pushtetit, udhëheqësit talebanë u fshehën në jug dhe lindje të Afganistanit ose përtej kufirit me Pakistanin. Grupi militant më pas udhëhoqi një kryengritje kundër qeverisë së re afgane të mbështetur nga SHBA, duke përdorur shpërthime të improvizuara dhe sulme vetëvrasëse.
Vitin e kaluar, qeveria amerikane negocioi një marrëveshje me talebanët pas më shumë se dy dekadash të përfshirjes ushtarake në Afganistan. Marrëveshja përcaktoi një afat kohor për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi në këmbim të ndalimit të sulmeve nga talebanët ndaj amerikanëve. Po ashtu nisën dhe bisedimet me qeverinë afgane. Megjithatë, bisedimet disa mujore midis talebanëve dhe qeverisë afgane nuk arritën të prodhojnë ndonjë marrëveshje paqeje.
Cilat vende i kanë njohur talebanët?
Vetëm një pjesë e vogël e vendeve e njohën qeverinë talebane kur sundoi nga 1996-2001, përfshirë Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Nuk është e qartë nëse shumica e vendeve do të njohin një qeveri të re të drejtuar nga talebanët. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha muajin e kaluar se “një qeveri e ardhshme afgane duhet të respektojë të drejtat themelore të popullit të saj dhe nuk duhet të strehojë terroristë”./VOA