Cilësohej si pasardhësi, Ortega: Më vinte turp nga Maradona, s’i harroj fjalët që më tha

schedule21:58 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 21:58 - 7 Dhjetor, 2020

Ariel Ortega cilësohej si pasardhësi i Diego Armando Maradonës tek Argjentina. Ish-fantazisti ishte një talent unik dhe te River Plate ishte një fenomen. Më pas erdhën aventurat te Sampdoria e Parma në Itali, aty ku pati shkëndija të një gjeniu, por nuk ishte konstant.

46-vjeçari provoi të luante edhe me Valencia e Fenerbahce, për ta mbyllur karrierën në vendlindje, duke mos zhvilluar karrierën që meritonte, kjo edhe për shkak të gabimeve personale. Lidhja e tij me Maradonën ka qenë e veçantë dhe vdekja e “El Diez” e ka tronditur.

“Burrito” flet në Tyc Sports rreth Maradonës, duke zbuluar edhe një detaj interesant. “Unë e dua Diegon, ai është një person që ka rëndësi të madhe për mua. Në vitin 1994, kur po luanim Botërorin në SHBA, qëndrova në të njëjtën dhomë me të, një privilegj për të cilin pak persona mund të mburren.

Të them të drejtën, unë nuk doja të qëndroja në dhomë me Diegon, pasi më vinte turp dhe ndihesha në siklet. Gjithsesi, ai më qetësoi, më tha se dhoma ishte e imja dhe duhet të kontrolloja gjithçka. Sikur të isha unë Maradona dhe ai Ortega…

Diego kishte një përulësi të jashtëzakonshme, ishte një person fantastik. Kur je i ri bën gabime, ka raste kur ke nevojë vetëm për ndonjë përqafim ose ndonjë këshilla. Të dyja i kam marrë me shumicë nga Diego.

Më ka telefonuar gjithmonë në momentet më të bukura dhe nuk ka munguar kurrë në periudhat e vështira“, deklaron Ariel Ortega, autor i 90 ndeshjeve dhe 17 golave me kombëtaren e Argjentinës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!