Cilat forca rrezikojnë rendin kushtetues në Gjermani?

schedule08:21 - 23 Qershor, 2023

schedule 08:21 - 23 Qershor, 2023

Pas dëbimit të diplomatëve rusë Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës konstatoi një strategji të re spiunazhi nga Kremlini. Por ka rreziqe edhe nga e djathta dhe e majta ekstreme, si edhe nga Kina.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës paraqet një pikë kthese edhe për sigurinë e brendshme në Gjermani”, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser kur prezantoi raportin e vitit 2022 për mbrojtjen e Kushtetutës në Berlin. Pranë saj ishe ulur presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Thomas Haldenwang. Kërcënimet që vijnë nga aktivitetet e spiunazhit rus janë shtuar sërish, thekson ai.

Si përgjigje ndaj kësaj, Gjermania dëboi 40 diplomatë rusë menjëherë pas fillimit të luftës, të cilët ishin akredituar si spiunë të dyshuar në ambasadën e vendit të tyre në Berlin. Megjithatë, shefi i BfV pret edhe më shumë angazhime të Kremlinit në këtë fushë në Gjermani në të ardhmen. “Edhe nëse masat e tilla kanë ndonjë efekt në një afat të shkurtër, Rusia do të përshtatë metodat e saj dhe do të vazhdojë në një mënyrë më klandestine dhe agresive në të ardhmen.”

Vladimir Putin është i aftë për çdo gjë

Thomas Haldenwang shqetësohet ndër të tjera edhe për sulme kibernetike dhe oficerë të shërbimit sekret që mund të udhëtojnë në Gjermani ilegalisht me një identitet të rremë. Dhe krahasuar me vendet e tjera, veçanërisht me Kinën, ai i konsideron veprimet e Vladimir Putin si më të rrezikshme.

Në përgjithësi, mund të thuhet se shërbimet ruse janë më të fuqishme dhe se po shërbehen me të gjitha mjetet. Ndonjëherë me mjete që njihen vetëm nga filmat. “Shërbimet ruse nuk hezitojnë madje as nga vrasjet e njerëzve.”

Rritet propaganda ruse

Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës është e shqetësuar edhe me rritjen e propagandës së Kremlinit në Gjermani. Këto përfshijnë grupe pro-ruse që mbështesin luftën e paligjshme të agresionit në Ukrainë. Qëllimi i saj dhe i presidentit rus Vladimir Putin: të përfitojë për qëllime të veta njerëzit nga ish-Bashkimi Sovjetik që tani jetojnë në Gjermani.

“Putini e sheh këtë grup njerëzish si ‘rusët e tij’. Njerëz që ai dëshiron t’i ketë nën ndikim,” shpjegon Thomas Haldenwang, president i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës. Megjithatë, ai dëshmon se shumica e diasporës rusisht-folëse në Gjermani nuk është nën ndikimin e propagandës ruse.

Imazhet e armikut ekstremist të majtë: NATO dhe SHBA

Një pamje jokonsistente shfaqet kur shikohet spektri ekstremist i krahut të majtë. Sipas raportit të inteligjencës, lufta po dënohet ashpër. “Disa pjesë të skenës së majtë nuk e mbajnë përgjegjëse vetëm Rusinë si agresore, por përkundrazi ato përshkruajnë NATO-n, SHBA-në dhe në përgjithësi Perëndimin apo imperializmin si shkakun e luftës”, thotë Thomas Haldenwang për këtë mjedis.

Edhe në zonën e ekstremizmit të djathtë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës regjistron përpjekje për të kapitalizuar luftën dhe agresionin e Rusisë. Por këta provokatorë nuk ia dolën të mobilizohen në nivel mbarëkombëtar për veprimet e tyre. Ekstremizmi i krahut të djathtë megjithatë mbetet kërcënimi më i madh për rendin dhe sigurinë kushtetuese, për bazat e shtetit demokratik, theksojnë Thomas Haldenwang dhe ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser.

Në fokus edhe Kina, Irani, Koreja e Veriut, Turqia

Konstatimi i tyre është se: Kërcënimi i spiunazhit, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit janë zgjeruar. Kryesisht nga Rusia që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Por edhe vende të tjera janë gjithashtu në fokus: Kina, Irani, Koreja e Veriut e Turqia./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!