Cilat do të jenë kompetencat e Mbretit Charles III në Britani

schedule19:04 - 9 Shtator, 2022

schedule 19:04 - 9 Shtator, 2022

Charles III do të shpallet zyrtarisht mbret nesër, të shtunën, gjatë një takimi të Këshillit të Trashëgimisë në Londër, tha Buckingham Palace në një deklaratë.

Këshilli i Trashëgimisë do të mblidhet nesër në orën 10:00 në Pallatin e Shën Jakobit dhe shpallja e Charles si mbret do të lexohet publikisht një orë më vonë nga jashtë asaj rezidence dhe më pas të nesërmen, në të gjitha provincat e Mbretërisë së Bashkuar.

Këmbanat e kishave kanë rënë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për nder të Mbretëreshës Elizabeth II, e cila ka vdekur në moshën 96-vjeçare pas 70 vjetësh në fron.

Këmbanat e Katedrales së Shën Palit dhe Abacisë së Uestminsterit në Londër, si dhe ato të Kullës Windsor, filluan të binin ndërsa Mbreti i ri Charles III ishte rrugës për në Londër nga rezidenca e tij Balmoral në Skoci.

Kryeministrja britanike Liz Truss bëri homazhe për mbretëreshën e ndjerë sot në Parlament, duke përshëndetur “një nga udhëheqësit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë bota” dhe “diplomatin më të madh” të Mbretërisë së Bashkuar.

“Fjalët e saj të mençura na dhanë forcë në momentet më të vështira. Në momentet më të errëta të pandemisë na dha shpresë se do të takohemi sërish”, nënvizoi kryeministri i veshur me të zeza, i cili do të pritet pasdite nga Mbreti Charles III.

Kompetencat e mbretit në Britani

Mbreti ka një rol kryesisht ceremonial dhe nuk pritet të ndërhyjë në çështjet politike. Megjithatë, si kreu i shtetit ai ruan disa kompetenca kushtetuese.

– Roli në Parlament 

Parlamenti është autoriteti më i lartë legjislativ në Britani dhe përfshin Dhomën e Komunave, Dhomën e Lordëve dhe Kurorën – një tjetër term për monarkinë.

Kurora është përbërësi më i vjetër i sistemit britanik të qeverisjes, por fuqitë e saj janë dobësuar me kalimin e kohës dhe tani janë kryesisht nder.

– Emërimi i një qeverie

Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, monarku thërret liderin e partisë që fitoi më shumë vende në Dhomën e Komunave për të marrë kryeministrinw dhe për të formuar një qeveri.

– Hapja e një mandati parlamentar ose shpërndarja e parlamentit

Monarku shpall hapjen e parlamentit çdo vit në një ceremoni tradicionale, të quajtur Fjalimi nga Froni dhe vazhdon të lexojë planet e qeverisë për 12 muajt e ardhshëm.

Kjo ngjarje e madhe vjetore zakonisht fillon me mbërritjen e monarkut në Westminster, në procesion nga Pallati Buckingham. Mbreti ose mbretëresha, duke veshur kurorën perandorake, hyn në Dhomën e Lordëve.

Zyrtari i parlamentit i njohur si “Black Rod” shkon më pas për t’u thirrur anëtarëve të Dhomës së Komunave, ku i përplasin në mënyrë simbolike derën në fytyrë, në shenjë pavarësie nga monarkia.

Kurora shpërndan parlamentin me të njëjtin solemnitet përpara mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

– Miratimi Mbretëror

Kur një projekt-ligj miratohet nga Dhoma e Komunave dhe Dhoma e Lordëve, ai i dërgohet monarkut për t’u nënshkruar në ligj.

Edhe pse mbreti mund të refuzojë të miratojë një projekt-ligj, në të vërtetë është thjesht një formalitet.

Monarku i fundit që refuzoi miratimin ishte Mbretëresha Anne në 1708.

– Besimi tek Kryeministri

Mbretëresha Elizabeth II priste kryeministrat një herë në javë, në një audiencë gjatë së cilës ata e informuan atë për planet dhe shqetësimet e tyre. Ky takim u mbajt gjithnjë e më shumë me telekonferencë në fund të mbretërimit të saj.

“Ata më thonë se çfarë po ndodh ose nëse kanë probleme, dhe ndonjëherë mund t’i ndihmoj në një mënyrë ose në një tjetër,” tha mbretëresha e ndjerë në një dokumentar të transmetuar në vitin 1992, duke vënë në dukje se “ata e dinë që unë mund të jem i paanshëm”.

– Zyrat

Monarku ka fuqinë të emërojë Lordët në parlament, por ky pushtet ushtrohet vetëm me këshillën e ministrave të qeverisë.

Mbreti gjithashtu i jep personalisht titullin kalorës, duke nderuar ata që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në shoqërinë britanike, në të gjitha fushat.

Qeveria i paraqet monarkut çdo vit një listë të kandidatëve për miratim për ndere publike.

– Krizat kushtetuese

Monarku ka fuqinë për të ushtruar prerogativat e tij mbretërore “në rast të një krize të rëndë kushtetuese” – atëherë ai është i autorizuar të mos pajtohet me mendimin e ministrave, por kjo nuk ka ndodhur kurrë në kohët moderne.

– Kreu i Kishës Anglikane

Si kreu i Kishës së Anglisë, mbreti ka fuqinë të emërojë peshkopë dhe kryepeshkopë, por edhe atëherë, ky pushtet ushtrohet sipas mendimit të një komiteti kishtar.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!