Cikloni “shfaros” Mozambikun

schedule08:15 - 19 Mars, 2019

schedule 08:15 - 19 Mars, 2019

Disa qindra persona kanë humbur jetën si pasojë e ciklonit “IDAI”, në shtetin e Mozambikut dhe bilanci mund të arrijë shumë shpejt në 1 mijë viktima. Deklarata është bërë nga presidenti i vendit, i cili pasi ka vizituar zonat e prekura ka nënvizuar se situata paraqitet shumë e rëndë.

Cikloni u përplas fillimisht të enjten e kaluar në qytetin Beira, me erëra që arrinin deri në 177 kilometra në orë; por ekipet e shpëtimit mundën të arrinin në vendin e ngjarjes vetëm të dielën. Erërat e forta u shoqëruan me shira të dendura, që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje toke, që shkatërruan shtëpi, ura e rrugë.

Aktivistët e Kryqit të Kuq që vizituan qytetin Beira, e cilësuan situatën si “të tmerrshme”. Ndërkohë, në pjesën tjetër të Afrikës së Jugut, të vdekurit janë 180 persona. Në Zimbabven fqinje, 98 persona kanë vdekur dhe 217 persona të tjerë konsiderohen të zhdukur. Një tjetër vend i prekur nga katastrofa natyrore është Malaui, ku përmbytjet kanë marrë të paktën 122 jetë njerëzish./abcnews.al