Stuhia e fuqishme ciklonike Mocha, me erëra deri në 175 kilometra në orë, po shkon drejt bregut lindor të Bangladeshit dhe Mianmarit perëndimor, duke kërcënuar rreth një milion refugjatë Rohingya.
Pas formimit në Gjirin e Bengalit ditë më parë, cikloni Mocha pritet të forcohet më tej dhe të godasë rajonin Cox’s Bazar të Bangladeshit dhe Mianmar nesër të dielën, paralajmëroi Shërbimi Meteorologjik i Bangladeshit.
Në Cox’s Bazar, rreth një milion refugjatë myslimanë Rohingya, shumica e të cilëve u larguan nga Mianmari në vitin 2017 për t’i shpëtuar persekutimit ushtarak, jetojnë në kampe të improvizuara në kushte të mjerueshme.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka ndërhyrë dhe po përgatitet “për një situatë emergjente” në kampe, autoritetet janë “gati” me makineri të rënda për të pastruar rrugët, tha një zëdhënës.
Mocha është cilësuar si një stuhi ciklonike shumë e fortë. Shteti Rakhine i Mianmarit gjithashtu pritet të goditet, siç është veriperëndimi i vendit, ku gjashtë milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe 1.2 milionë janë zhvendosur, vuri në dukje OKB.
Erërat e forta dhe shirat e dendur mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Mianmar dhe Bangladesh, paralajmëroi zyra e çështjeve humanitare të agjencisë.
“Ne jemi të fokusuar në shpëtimin e jetëve,” tha Mohammad Samsud Duza, një zyrtar i qeverisë së Bangladeshit përgjegjës për refugjatët.
“Ata që janë në rrezik nga rrëshqitjet e dheut do të largohen. Mijëra punonjës të pushtetit vendor dhe vullnetarë janë vendosur tashmë në zonë, ndërsa mjekët dhe punonjësit e shpëtimit janë në gatishmëri”, shtoi ai.
Në Mianmar, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha se po përgatitte ndihmë për më shumë se 400,000 njerëz në shtetin Rakhine dhe zonat përreth. /abcnews.al