Çiklizmi me paga të larta si futbolli, slloveni Pogacar kryeson listën me 6 milionë euro në vit

schedule14:16 - 19 Korrik, 2024

schedule 14:16 - 19 Korrik, 2024

Etapa e fundit ishte pak a shumë e qetë.

Nuk ndryshoi gjë në renditjen e këtij edicioni të “Tour de France”, ndërsa duhen edhe 3 ditë deri në përfundim, por vitet e fundit thuajse gjithçka është transformuar në çiklizëm.

Sipas tendencës botërore për të gjitha sportet, kostot janë rritur, e bashkë me to edhe rrogat dhe nëse garat e biçikletave nuk krahasohen me futbollin, tenisin apo basketbollin, sërish “yjet” kryesorë marrin miliona.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, slloveni Tadej Pogacar, “Fanela e Verdhë” e “Turit të Francës” këtë vit ka një rrogë vjetore prej 6 milionë eurosh, pagë kjo e pamendueshme disa vjet më parë.

“Ylli” i çiklizmit botëror ndiqet nga patrioti i tij nga Sllovenia, veterani Primoz Roglic, që merr 4.5 milionë euro në sezon, ndërsa në vend të tretë është kampioni në fuqi i “Tour de France”, Jonas Vingeggard.

Danezit i japin 4 milionë euro në 12 muaj, po aq sa edhe kampionit të botës, holandezit Mathieu van der Poel, ndërsa pesshja e madhe plotësohet nga belgu Wout van Aert, me 3.5 milionë euro në vit.

Shpenzimet për skuadrat nuk janë vetëm rrogat, por edhe stafet teknike, mekanike e nutrioniste, baza teknike apo dieta ushqimore, teksa siç thonë specialistët e çiklizmit, asnjë ekip nuk ka shans të arrijë ndonjë sukses në “Turin e Francës” me më pak se 50 apo 60 milionë euro buxhet në vit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!